14:49 / E Enjte, 27 Prill 2023 / LB

Vuçiq në Listë të Zezë, demokracia të triumfojë

Vuçiqi i Serbisë po e luan kërcënuesin e Ballkanit. Ai është një kombim i dhunuesit Putin dhe manipuluesit kokë-ngritur Xi. Ai me presion parandaloi edhe ata që donin të zgjedheshin, edhe ata që donin të zgjedhnin më 23 prill 2023 në veri të Kosovës.

Burim Ramadani

Autokratët po e sjellin botën buzë katastrofës. Edhe Putini i Rusisë, edhe Xi i Kinës po e minojnë demokracinë në botë. I pari edhe me luftë ndaj Ukrainës, i dyti në luftë manipulative që po ngrit kokën çdoherë e më ashpër.

Ndërsa, Vuçiqi i Serbisë po e luan kërcënuesin e Ballkanit. Ai është një kombim i dhunuesit Putin dhe manipuluesit kokë-ngritur Xi.

Loja e Serbisë duhet të saksionohet. Shtetet demokratike të botës nuk duhet lejuar minimin e vazhdueshëm të demokracisë. Argumentimi mbi ndërhyjet flagrante armiqësore të Serbisë në Kosovë janë të fuqishme dhe shumëllojta. Mjafton që ato të përmblidhen në një dokumentim të vetëm dhe të azhurnohen në vazhdimësi.

Vuçiq duhet të saksionohet, të futet në Listën e Zezë të shteteve demokratike. Vetëm atëherë, Serbia do të mund të fillojë të reflektojë mbi të vërtetën e vet derisa të arrihet masa dominuese racionale për t’u përballur me historinë gjenocidiale të shekullit të kaluar.

Ndërhyrja e Serbisë në dëmtimin, defunksionalizimin dhe përçarjen shoqërore në Kosovë edhe mund të jetë adresuar në nivele të ndryshme. Porse, ndërhyrja e saj në minim të demokacisë meriton të saksionohet thelbësisht.

Zgjedhjet e 23 prillit në komunat veriore të Kosovës evidentojnë hiq më pak se kërcënime, shantazhe dhe presione për mospjesëmarrje në proces zgjedhor. Pra, Serbia ka parandaluar edhe ata që donin të zgjedheshin, edhe ata që donin të zgjedhnin.

Ku ka më qartë se kaq!

Nuk duhet lëshuar një momentum i këtillë pa u ndëshkuar. Porse, një përpjekje gjithë-institucionale dhe gjithë-shoqërore në Kosovë nuk duket të jetë organizuar për të vënë këtë çështje në prioritet. Ne po flasim sa keq po vepron Serbia, por nuk po flasim për demokracinë. Për atë që është investuar mbi dy dekada nga bashkësia ndërkombëtare në Kosovë, besa në tërë botën.

Për atë që Presidenti Bill Klinton e kishte konceptualizuar si “zgjerimi i komunitetit të kombeve demokratike”. Doktrinën Klintoniane e forcoi realisht Presidenti aktual amerikan, Joe Biden, duke vendosur në Listë të Zezë ata që po e minojnë demokracinë nga brenda shteteve.

Pra, konceptualisht, nga Klintoni që thoshte se shtetet duhet të demokratizohen për të rritur sigurinë globale, tek kjo që Presidenti Biden përcakton se do të sanksionohet edhe ata persona që nga brenda dhe për motive të ndryshme minojnë demokracinë nëpër shtete.

Ky koncept është një themel që politika kosovare duhet të ndërtojë argumentimin se Vuçiqi duhet të futet në Listën e Zezë. Pra, demokracia të triumfojë!

Ai, jo vetëm që po e mban Serbinë nën autokraci, por edhe po e kërcënon Ballkanin me destablizim, sikurse edhe po minon përpjekjet e shteteve në Ballkan për t’u demokratizuar.

Serbia vazhdon të ketë qasjen armiqësore ndaj shtetit dhe popullit të Kosovës. Ajo synon që, së pari, të defunksionalizojë plotësisht Kosovën dhe, së dyti, të ndajë një pjesë të saj territorialisht.

Prandaj, Kosova duhet të fuqizojë koordinimin planifikues, vendimmarrës dhe zbatues me partnerët ndërmkombëtar dhe me NATO-n. Zelli i diplomacisë duhet të ri-organizohet. Aktivitete gjithëpërfshirëse informuese dhe koordinuese me shtetet anëtare të NATO-s dhe BE-së duket mirëfilli se mungojnë. Kosova duket se po mungon në tavolinat profesionale të shteteve demokratike dhe ajo duhet të gjejë formën e rikthimit aty.

Dhe, derisa Vuçiqi edhe mund të futet në Listën e Zezë për shkak të autokracisë, kërcënimeve dhe minimit të demokracisë, Kosova duhet t’i kthehet vetes për të promovuar vlerat demokratike, qeverisjen e mirë, të drejtat e njeriut dhe mundësitë e barabarta.

Atëherë, debati përbrenda do të merr formën dhe përmbajtjen e vërtetë!