18:47 / E Diele, 26 Gusht 2018 / indeksADMonline

Vuçiq reagon ndaj deklaratës së ambasadorit britanik që doli kundër ndryshimit të kufijve

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka reaguar në drejtim të Ambasadorit të Britanisë së Madhe në Beograd Denis Keefe, i cili së fundi doli kundër idesë për ndryshim të kufijve.

Vuçiq ka thënë së Britania e Madhe është duke kundërshtuar ndryshimin e kufijve tash kur Serbisë po i konvenon ndërsa asnjëherë s’doli kundër këtyre ndryshimeve që ndodhën dy dekadat e fundit.

Sipas Vuçiq Britania e Madhe nuk është penguar kur Serbisë i ishin ndryshuar kufijtë me rastin e ndarjes së Kosovës, Bosnjës, Kroacisë e Maqedonisë.

“Për Serbinë kishte sjellë shumë rrezik dhe kosto ndryshimi i kufijve në vitin 2008, kur e shkatërruat Serbinë në vitin 1991 dhe në vitin 1992.Çdo 10 vjet, kur ju përgjigjet, mund t’i ndryshoni kufijtë, e kur dikush dëshiron të bëjë diçka pa dijen tuaj, atëherë ju e komentoni se do ta paguani koston dhe se rreziku është i madh”, ka thënë Vuçiq duke iu përgjigjur deklaratës së Keefe-s, transmeton Indeksonline.

Madje ai ka shtuar se nuk dëshiron që të shkohet në luftëra dhe konflikte duke theksuar se do të besojë se ambasadori britanik në Beograd kishte një qëllim të mirë.

Ndryshe Ambasadori i Britanisë së Madhe në Beograd, Keefe ka deklaruar se Britania e Madhe konsideron se debati për ndarjen e mundshme apo ndryshimin e kufijve të Kosovës, përkufizimin apo këmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet marrë parasysh të gjithë çështjet, rreziqet dhe çmimin të cilin këto tema e hapin.

Kundër idesë për ndarje apo ndryshim të kufijve ditë më parë doli edhe shteti gjerman.

Në Forumin Evropian në Alpbach të Austrisë Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai serb, Aleksandar Vuçiq kanë deklaruar në pika të shkurtra idenë që marrëveshja për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të përfshijë edhe korrigjimin e kufirit./Indeksonline/