08:55 / E Martë, 20 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Vuçiqi e pranon se ky person mund të ketë dorë në vrasjen e Ivanoviqit

Presidenti i Serbisë ka thënë mbrëmë në një emision në Serbi se “Ka pasur konflikt në mes të Oliver Ivanoviqit dhe Milan Radojçiqit që nga viti 2000”.

Në këtë emision, Vuçiqin e pyetën edhe për faktin se se si e komenton atë se Ivanoviqi e ka bërë me dije BIA-n për kërcënimet. “Kam biseduar shumëherë me Ivanoviqin. Ka pasur një konflikt në mes tij dhe Radojçiqit. Me Radojçiqin kurrë nuk kam biseduar, ndoshta vetëm në telefon. Tash shtrohet pyetja: Ai njeri e ka ditur që dikush do ta drejtojë gishtin kah ai. Që nga viti 2000 është ky konflikt. Prandaj shtrohet pyetja, a është ai budalla dhe i çmendur?”, – ka thënë Vuçiqi.

Siç u raportua në mediet kosovare, para më shumë se dhjetë ditësh, institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës i kanë informuar udhëheqësit politikë, sipas të gjitha gjasave edhe në Kosovë, por edhe në Serbi për dorasin dhe motivet e vrasjes. Milan Radojçiqi ka qenë deri më tani emri më i lakuar për mundësinë e përfshirjes në këtë vrasje. Liderë serbë nga Kosova dhe Serbia kanë thënë se ai ka përgjegjësi për këtë.

Tash, edhe presidenti i Serbisë po e pranon se kjo gjë mund të jetë e vërtetë. Është raportuar se Vuçiqi nuk ka lejuar që Milan Radojçiqi t’i qëndrojë afër gjatë vizitës së fundit që e kishte në Kosovë, menjëherë pas vrasjes së Ivanoviqit. Kështu nuk ndodhte në vizitat e mëhershme, kur ata ishin pranë e pranë.