10:04 / E Enjte, 11 Janar 2018 / indeksADMonline

VV e quan padrejtësi Gjykatën Speciale në takimin me delegacionin e BE-së

Në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje dje pasdite u pritë delegacioni franko-gjerman nga Bashkimi Evropian, me të dërguarin e posaçëm për Evropën Juglindore, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Christian Hellbach dhe shefin e Departamentit për Ballkan dhe Evropë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, Thomas Bertin, të shoqëruar nga ambasadori i Francës, Didier Chabert, dhe zëvendës-ambasadori i Gjermanisë, Jan-Axel Voss.

Në këtë takim biseduan për Gjykatën Speciale dhe çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, ku anëtarët e VV-së e quajtën padrejtësi këtë Gjykatë.

“U përcollën qëndrimet e mirënjohura të Lëvizjes, mbi padrejtësinë e Gjykatës, mashtrimet e Presidentit Thaçi dhe gabimet e demarkacionit me Malin e Zi”, thuhet në komunikatën e VV-së, transmeton Indeksonline.

Në komunikatë me tutje thuhet se në këtë takim është diskutuar për gjendjen aktuale politiko-sociale në Kosovë si dhe integrimet euro atlantike.

“Në takim u diskutua për gjendjen aktuale politiko-institucionale dhe socio-ekonomike në Kosovë, për integrimet euro-atlantike, e për raportet midis vendeve të rajonit në Ballkanin perëndimor. Përfaqësuesit e VETËVENDOSJE!-s theksuan që punësimi dhe drejtësia, përkatësisht zhvillimi ekonomik dhe sundimi i ligjit, për të gjithë e në gjithë territorin, janë vendimtare për shtetndërtimin e domosdoshëm dhe progresin aq të nevojshëm në Kosovë” thuhet në komunikatë.

Të dy palët, shprehën interesimin për kontakte të vazhdueshme e takime të tjera në të ardhmen./Indeksonline/