17:55 / E Enjte, 15 Mars 2018 / indeksADMonline

VV përshëndet votimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoni

Lëvizja Vetëvendosje përshëndet votimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoni, i cili edhe pse nuk është zyrtarizim i gjuhës shqipe në Maqedoni, është një përparim sa i përket të drejtave të shqiptarëve.

Në një komunikatë për media Vetëvendosje thekson se ky ligj megjithatë ende e trajton shqipen si një gjuhë minoritare, të barabartë me gjuhët e tjera minoritare dhe kjo është diçka që duhet synuar të ndryshohet, pasi shqiptarët në Maqedoni nuk janë minoritet, por komb shtetformues autokton.

“Edhe pse sipas këtij ligji në bankënota dhe në uniformat e ushtrisë e policisë nuk do të shkruhet shqip, votimi në kuvend përbën një hap përpara, krahasuar me kushtet e vështira dhe diskriminimin shtetëror me të cilin janë ballafaquar shqiptarët në vitet e fundit”, thuhet në komunikatë.

Për më tepër, Lëvizja Vetëvendosje mbetet shqetësuese qasja antishqiptare e VMRO-DPMNE-së, partisë më të madhe opozitare, e cila vazhdon rrugën antishqiptare.

Sipas VV-së, votimi i ligjit për Përdorimin e Gjuhëve është arritje e domosdoshme por e pamjaftueshme, pasi miratimi i këtij ligji ishte dashur të ndodhte që prej gushtit 2001, si pasojë e Marrëveshjes së Ohrit.

“Shqiptarët kanë nevojë të marrin investime prej shtetit pa u diskriminuar, për shkolla më të mira e për vende pune. Ata kanë nevojë për infrastrukturë e pjesëmarrje të barabartë në institucione e administratë shtetërore. Mbi të gjitha kanë nevojë të ndalen ofendimet e kërcënimet ndaj tyre, si dhe diskriminimi në sistemin gjyqësor”, thuhet në komunikatë./Indeksonline/