12:11 / E Hënë, 17 Shtator 2018 / indeksADMonline

VW Group ëndërron një vit rekord – tashmë ka shitur 7.3 milionë makina

Gjigandi gjerman për prodhimin e veturave, i cili zotëron një duzinë markash automobilash dhe kamionësh, shënoi rritje të shitjeve prej 7.5% në tetë muajt e parë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2017.

Grupi Volkswagen la pas aferën dizel, e cila i kushtoi shumë para, por jo edhe humbjen e konsumatorëve që blenë 7.302.500 automjete në periudhën janar-gusht në mbarë botën. Evropa mbetet tregu më i rëndësishëm dhe më i madh për VW, meqë 3.155.400 automjete u transportuan në kontinentin e vjetër në tetë muajt e parë, me një rritje të shitjeve prej pothuajse 10%.

Rreth 2.9 milionë makina ose 6.8% më shumë janë shitur në rajonin e Azisë dhe Paqësorit, nga të cilat vetëm 2.65 milionë janë dërguar në Kinë, transmeton IndeksOnline.

Në tregun e Amerikës së Veriut, të gjitha markat që veprojnë në kuadër të Grupit VW shitën 631,500 automjete dhe ky është i vetmi rajon i madh në botë që shënon një rënie të lehtë gjatë vitit të kaluar prej -0,2%. Nga ana tjetër, në Amerikën e Jugut janë shitur 387,400 automjete ose 13.3% më shumë se sa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sikurse pritej, veturat VW ishte marka më e shitur brenda grupit. Në periudhën janar-gusht 2018, gjithsej 4,137,900 makina me emblemën e kësaj marke gjermane u shitën në mbarë botën, me një rritje prej 6.2%.

Pason Audi, e cila në tetë muajt e parë të këtij viti ka shitur 1.268.600 makina me një rritje prej 5.5%. Shkoda shiti 844.200 automjete ose 11.4% më shumë dhe Seat 383.900 makina ose 21.9% më shumë. Rritje të shitjes shënoi edhe Porsche me 6,8%, ku në tetë muajt e parë të këtij viti janë shitur 176.400 automobila të këtij brendi. Gushti ishte veçanërisht i suksesshëm për grupin VW, pasi u shitën 875,300 automjete, nga të cilat 513,300 ishin markë mëmë. Mbetet për t’u parë nëse deri në fund të vitit, VW Group do të ketë sukses në tejkalimin e shitjes së Grupit Renault-Nissan, i cili në 2017 e fitoi titullin e prodhuesit më të madh të makinave në botë.

Temat: