21:18 / E Mërkurë, 07 Mars 2018 / indeksADMonline

Xhemajlaj: Përmes aplikacionit social “Pritjet Kufitare” shpresojmë të jemi më afër qytetarëve

Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me Open Data Kosovo dhe Girls Coding Kosova në praninë e komunitetit të teknologjisë informative dhe partnerëve, lansuan aplikacionin social “Pritjet Kufitare”.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Isa Xhemajlaj, theksoi se në kuadër të Qendrës Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit, gjatë gjithë kohës monitoron pikat kufitare në Kosovë, por pak qytetarë janë të njoftuar me këtë qendër.

“Me anë të këtij aplikacioni ne shpresojmë të jemi më afër qytetarëve tanë, atdhetarëve, dhe gjithë turistëve, duke u ndihmuar që të planifikojnë udhëtimet e tyre ndërkufitare pa humbur shumë kohë”, tha zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Isa Xhemajlaj.

Blerta Thaçi, drejtoreshë në Open Data Kosovo u shpreh se me anë të zhvillimit të këtyre aplikacioneve, përveç që po punojmë drejt digjitalizimit të institucioneve të administratës, ne po angazhojmë edhe komunitetin e TI në procese demokratike duke u mësuar të rinjve shkathtësi praktike në zhvillim softëerik.

“Ky është një moment historik për Techstitution, projekt ky që po lidhë administratën publike me inovacionin”, tha ajo.

“Me anë të Techstitution ne po nxisim zgjidhje digjitale në sfidat institucionale, gjë që po i mundëson efikasitet dhe komunikim më të mirë administratës me qytetarët,” tha James Mugaju, zëvendës drejtor i UNICEF në Kosovë.

Kjo iniciativë e të dhënave të hapura synon të ndihmojë qytetarët e Kosovës dhe më gjerë që të planifikojnë udhëtimet e tyre ndërkufitare për të kursyer kohë, për të shmangur vonesat e trafikut dhe për të kaluar kufijtë sa më shpejt që të jetë e mundur. Ky aplikacion miqësor i mbledh të dhënat nga 12 pikë kalimet kufitare dhe gjeneron video në kohë për të treguar statusin e çdo pike kufitare. Aplikacioni shfaq automatikisht të dhënat për profilet e rrjeteve sociale dhe është projektuar për të ndihmuar përdoruesit të marrin vendime në lëvizje.

Në ditët në vazhdim platforma do të jetë aktive në profilet e rrjeteve sociale zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme.