15:14 / E Diele, 24 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Zaev dhe Sela nuk arritën marrëveshje, ministrat e rinj nesër në Parlament

​Pothuaj tre muaj pas zgjedhjeve lokale, pas të cilave u zbrazën disa pozita ministrore në qeverinë e Zoran Zaevit, por edhe pas disa paralajmërimeve disajavore pikërisht nga kryeministri se shumë shpejtë do të ketë plotësim të eshallonit të parë dhe të dytë në pushtetin ekzekutiv, disa vendet “e lira” ende qëndrojnë të zbrazëta.

Veçmë tre muaj është i zbrazët vendi ministror në shëndetësi, si dhe dy vendet e ministrave pa resor dhe një vend i zëvendës ministrit.

Kryeministri Zoran Zaev të premten në mbrëmje në emisionin “Noqno studio” në televizionin Telma deklaroi se propozimet për vendet e zbrazëta ministrore janë dërguar deri te Kuvendi i Republikës së Maqedonisë dhe se propozimi i Aleancës për shqiptartët për vendin ministror të Shëndetësisë ka qenë i papranueshëm.

Për propozimin që për ministër të Shëndetësisë të emërohet Venko Filipçe, kryeministri Zaev vlerëson se bëhet fjalë për njeri i cili do t’i zbatojë reformat në shëndetësi.

Para tre ditëve, në takimin me kryeministrin Zaev, lideri i Aleancës për Shqiptarët  Zijadin Sela nuk e pranoi vendin e ofruar  për nënkryeministër për reforma në Qeveri në zëvendësim të pozicionit ministër të Shëndetësisë.

Sela të enjten deklaroi se Aleanca për Shqiptarët  mbetet në qëndrimin  për mbajtjen e ministrisë së Shëndetësisë, e cila mbeti bosh pasi që Arben Taravari u bë kryetar i Komunës së Gostivarit.

Sela me këtë rast nuk tha nëse do të dalin ose do të mbeten në koalicionin qeveritar.

“Kishim takim me kryeministrin. Opinioni tashmë është i njoftuar për çfarë bëhet fjalë. Ne mbetemi në qëndrimet tona se nuk do të pranojmë pozita të cilat krijohen gjatë natës dhe të nënvlerësohet Aleanca për Shqiptarët. Një gjë të tillë nuk do ta pranojmë. I propozova kryeministrit të përgatisë edhe një pozitë që do të ishte zëvendëskryeministër për blerjen e byrekut dhe pastaj këtë pozitë do t’ia jap BDI-së për të emëruar ndonjë ministër të tyre. Ne mbetemi në qëndrimet tona se do ta mbajmë Ministrinë e Shëndetësisë dhe nuk do të bëjmë marrëveshje përmbi marrëveshje. Marrëveshja për formim të Qeverisë është bërë kur u krijua Qeveria” deklaroi Sela.

Edhe një herë konfirmoi se kandidati i Aleancës për Shqiptarët për ministër të Shëndetësisë është Vullnet Ferati.

“Ishim aktorë kryesor në rrëzimin e regjimit dhe ende do të jemi të përqendruar në mbetjet nga ky regjim, të cilat kanë mbetur në këtë Qeveri, të mbajnë përgjegjësi para drejtësisë”, tha Sela, duke shtuar se drejtësia është e plotë nëse është e barabartë për të gjithë.

Kuvendi qendror i Aleancës për shqiptarët sot në Gostivar do të mbajë mbledhje të rregullt, ku do të shqyrtohen gjendjet në parti dhe do të bëhen përgatitjet për kongresin partiak.

Burime partiakë për MIA-në informuan se mes temave do të jetë edhe vendimi nëse Aleanca për shqiptarët do të mbetet në koalicionin qeveritar.

Nga Qeveria të martën zyrtarisht publikuan se për ministër të Shëndetësisë u propozua Venko Filipçe, këshilltar aktual i kryeministrit Zaev.

Edhe zëvendësi i obliguar për çështje evropiane Bujar Osmani javën e kaluar deklaroi se do të ketë plotësim të vendet të zbrazëta ministrore dhe se nuk do të ketë rikonstruim më i madh i Qeverisë.

Artan Grubi nga BDI-ja po ashtu deklaroi se zëvendës ministër i Arsimit dhe Shkencës do të jetë Arbër Ademi dhe potencoi se “situata është zgjidhur dhe se shumica parlamentare është stabile dhe pa edhe me partinë e Ziadin Sela”.

Ali Ahmeti, lideri i BDI-së të mërkurën në intervistë për TV21 e quajti Aleancën për shqiptarët parti joserioze, e cila ka vetëm dy deputetë.