17:57 / E Premte, 23 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Zafir Berisha i konsideron të gabuara dhe të njëanshme reagimet e BE-së

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha i ka cilësuar reagimet e zyrtarëve të lartë të Brukselit kundrejt taksës prej 100% për mallrat serbe, si të gabuara.

Ai në një postim të bërë në “Facebook” ka thënë se Bashkimit Evropian në raportin Kosovë – Serbi është i njëanshëm.

Ai ka listuar edhe disa nga rastet kur BE-ja nuk ka reaguar për sjelljen e Serbisë karshi Kosovës.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të Berishës:

Reagimet e djeshme dhe të sotshme nga zyrtarët e lartë të Brukselit rreth rritjes së taksës ndaj mallrave të Serbisë janë të gabuara.

Bashkimi Europian në raportin Kosovë-Serbi është plotësisht i njëanshëm.

Në vazhdim po i përmend vetëm disa raste kur BE-ja futi veshët në lesh në raport me sjelljen e Serbisë karshi Kosovës:

Ku ishte reagimi i BE-së kur Serbia nuk zbatoi një numër të madh marrëveshjesh (33)të nënshkruara në Bruksel?

Ku ishte reagimi i BE-së kur Lista Serbe bllokonte formimin e Ushtrisë së Kosovës përmes Kushtetutës?

Ku ishte reagimi i BE-së kur diplomacia e jashtme e Serbisë lobonte për tërheqjen e njohjeve të Kosovës?

Ku ishte reagimi i BE-së kur Serbia shkeli marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel duke e bllokuar Kosovën në Interpol?

Askund. Asnjë reagim.

Vetëm kur Kosova po merr vendime, zyrtarët e Brukselit nuk po i zë gjumi.