16:02 / E Diele, 15 Tetor 2017 / indeksADMonline

Zëmërohet presidenti grek: Tirana e Prishtina po sillen si aventurierë ndërkombëtarë

Presidenti grek Prokopis Pavlopulos ka lëshuar një tjetër deklaratë të fortë ndaj Shqipërisë, madje kësaj here ka përfshirë edhe Kosovën.

Pavlopulos ka akuzuar Tiranën dhe Prishtinën se po sillen si “aventurierë ndërkombëtarë”, dhe ka shtuar se “Shqipëria dëmton vetë procesin e anëtarësimit në BE”.

Pavlopulos i bëri këto deklarata të dielën paradite në Korfuz, ku u inaugurua muzeu i Joanis Kapodistrias, guvernatori i parë i Greqisë pas çlirimit nga zgjedha osmane.

Ai tha se Kapodistrias ka dy karakteristika: vizionin dhe respektimin e plotë të së drejtës ndërkombëtare. Kjo na frymëzon ne grekët, por duhet të frymëzojë edhe ata që aspirojnë të futen në BE.

“Dhe këtë e them kryesisht për Shqipërinë fqinje, vendin me të cilin duam gjithmonë të kemi marrëdhënie të mira, dhe që e mbështesim në procesin e anëtarësimit”, tha presidenti grek.

Duke marrë shkas ndoshta nga fakti i emërimit të zëvendësministrave nga Kosova në qeverionë Rama 2, Pavlopulos vazhdoi:

“Mirëpo, sjellje të aventurizmit ndërkombëtar si ato që po shohim tash së fundi ndërmjet Tiranës dhe Prishtinës janë sjellje të një shkeljeje brutale të të drejtave të njeriut dhe kjo po ndodh me minoritetet apo, për shembull si me të drejtën e pronës. Faktikisht për fat të keq, Shqipëria dëmton vetë procesin e anëtarësimit dhe kjo nuk është përgjegjësia jonë”.

“Gjithsesi, ne nuk do të rrimë duarkryq ndaj sjelljeve të tilla. E kemi obligim dhe ndaj Greqisë, por edhe kundrejt Europës”  përfundoi presidenti i republikës greke, Prokopis Pavlopulos.

/Oranews