12:02 / E Mërkurë, 09 Maj 2018 / indeksADMonline

Zv/ministrat dorëzojnë raportin e punës, kjo është përgjigjja e Haradinajt!

Muaj më parë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga të gjithë zëvendësministrat e qeverisë së ti që të përgatisin raportet për punën e tyre.

Ndonëse numri i tyre është i madh, shefi i ekzekutivit kosovar kishte thënë se ka punë për të gjithë.

Gjatë javës së kaluar shumica e tyre kanë dorëzuar këto raporte. Kështu ka thënë për “Indeksonline” zëdhënësja e qeverisë, Donjeta Gashi.

Ajo ka treguar se së shpejti do të caktohet takimi mes zëvendësministrave dhe kryeministrit Haradinaj.

“Pjesa kryesore e zëvendësministrave kanë raportuar tashmë dhe shumë shpejt do të caktohet takimi me ta nga ana e kryeministrit”, tha Gashi.
Ajo ka theksuar se Haradinaj është ndarë i kënaqur me punën e zëvendësministrave deri më tani.

“Kryeministri i ka lexuar një pjesë të raporteve të zëvendësministrave dhe është ndarë i kënaqur me angazhimin e tyre konform dinamikës së re të qeverisjes”, ka shtuar Gashi.

Kujtojmë se aktualisht në Qeverinë Haradinaj janë në detyrë më shumë se 80 zëvendësministra, numër ky i cili konsiderohet jashtëzakonisht i lartë./Indeksonline/