15:52 / E Hënë, 26 Mars 2018 / indeksADMonline

Zv/ministri i MPB-së: Ballkani po rrezikohet nga ndikimi rus

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka ka thënë se çdo shtet me elementin serb në vete jo që duhet të ketë kujdes nga Serbia, fytyrën e së cilës tashmë e njeh e gjithë bota por edhe më shumë nga mentorja e saj Rusia, e cila po përpiqet që përmes elementeve sllave në shtetet e Ballkanit ta luftojë Perëndimin dhe institucionet që e përfaqësojnë atë si NATO e BE.

“Pothuajse të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, përveç Shqipërisë kanë rrezik potencial nga një kërcënim i tillë. Megjithëse, siç dihet edhe Shqipëria për shkak të Kosovës mbetet po aq e kërcënuar sa edhe shtetet e tjera”, ka thënë ai.

Rusia momentalisht, sipas tij, po e luan lojën e sfidimit të Perëndimit dhe strategjisë së saj në Ballkan duke vënë në pikëpyetje vetë stabilitetin e rajonit.

Ajo, përmes mbështetjes së elementeve sllave po nxit secesionizmin dhe krijimin e shteteve klientë në Ballkan si ato të kohës së Paktit të Varshavës apo njësive të paligjshme si Republika Srpska apo planet për Zajednicën në Kosovë, si dhe fuqizimin e aktorëve jo shtetërore e të pamenaxhueshëm nga shtetet e rajonit.

Andaj një strategji e tillë sipas Zekës, do ta shndërronte Ballkanin në një Lindje të Mesme të dytë. “Kërcënimi rus në Ballkan është një kërcënim i cili duhet të menaxhohet bashkërisht me aleatët tanë perëndimorë dhe kurrsesi ndryshe”, ka deklaruar ai./Indeksonline/

Temat: