15:44 / E Hënë, 25 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Zyra e Mogherinit për shfuqizimin e Speciales: Tmerruese dhe e dëmshme për Kosovën

Një reagim të ashpër të premten ndaj përpjekjeve për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale e ka bërë edhe shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, duke thënë se iniciativa është tmerruese dhe jashtëzakonisht e dëmshme për Kosovën.

“Iniciativa e Kuvendit të Kosovës për ta shfuqizuar Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar është tmerruese dhe ekstremisht e dëmshme”, thuhet në reagimin e saj.

Gazeta Express të hënën ka kontaktuar Zyrën e Përfaqësueses së Lartë, Federica Mogherini, për të marrë një qëndrim edhe nga ajo rreth ngjarjeve të së premtes në Kuvendin e Kosovës. Zëdhënësja Maja Kocijancic ka deklaruar se qëndrimi i shprehur në Prishtinë i diplomates bullgare reflekton qëndrimin e BE-së.

“Ju lutem shikojeni qëndrimin e Zonjës Apostolova, shpreh qëndrimin e BE-së”, ka thënë Kocijancic.

Ndryshe, BE-ja konsideron se në rast se vazhdojnë përpjekje të tilla do të rrezikohet e gjithë puna që është bërë viteve të fundit.

“Një veprim i tillë do të rrezikojë gjithë punën që është bërë viteve të fundit në sundimin e ligjit dhe drejtësisë dhe do të minojë të gjithë ata që janë ngritur për t’i dhënë fund mosndëshkueshmërisë”, ka thënë zyrtarja e BE-së.