12:25 / E Shtunë, 06 Prill 2019 / indeksADMonline

Zyra e presidentit Thaçi paguan fushën sportive për të luajtur futboll me para të shtetit

Hashim Thaçi e ka dëshmuar se i pëlqen futbolli. Presidenti i Kosovës luan shpeshherë futboll me kolegët e tij të Zyrës së Presidencës.

Vitin e kaluar, presidenti Thaçi kishte publikuar një video në rrjetin social Facebook duke shënuar një gol, teksa po luante futboll me miq e kolegë në një qendër sportive. Kishte thënë se po kalonte çaste të këndshme rekreative.

Mirëpo, për të luajtur futboll të vogël – siç njihet në Kosovë si “termin futbolli” – Hashim Thaçi ka shpenzuar paratë e Zyrës së Presidencës së Kosovës, raporton Insajderi.

Ai ka rezervuar një qendër sportive për të luajtur futboll me stafin e Presidencës

Të premten, Zyra e Presidencës ka nënshkruar kontratë me Qendrën Sportive “Learti” në Prishtinë për huazimin e fushës sportive për tre muajt e ardhshëm, thuhet në kontratën e publikuar në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP).

Kontrata ka vlerë të përgjithshme prej 950 eurove: që i bie se Zyra e Presidentit Thaçi do t’i paguajë rreth 160 euro në muaj Qendrës Sportive “Learti” për të luajtur futboll.

Vitin e kaluar, Zyra e Presidentit kishte dhënë një tender të ngjashëm një fushe tjetër sportive për huazim të një fushe sportive. /Indeksonline/

Image