10:42 / E Martë, 18 Qershor 2019

Zyrtarë të MPB-së dhe UNHCR –së takojnë azilkërkuesit në Qendrën e Azilit

Me rastin e javës kur shënohet Dita Botërore e Refugjatëve, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka dhe shefi i zyrës së UNHCR-së në Kosovë, Erol Arduç, takuan azil-kërkuesit në Qendrën e Azilit në Magure të Lipjanit.

Me këtë rast, zëvendësministri Zeka tha se kjo Ditë shënohet në mbarë botën, duke shprehur solidaritetin dhe bashkë-ndjenjën me rreziqet, vështirësitë dhe problemet më të cilat ballafaqohen refugjatët në mbarë botën.

“Ne kemi punuar dhe vazhdojmë të punojmë çdo ditë se bashku me UNHCR-në, organizatat partnere të saj dhe me organizata tjera, në mënyrë që të gjithë së bashku t’ua mundësojmë azilkërkuesve dhe refugjatëve një trajtim me dinjitet dhe të drejtë”, tha zëvendësministri Zeka.

Ndërsa Shefi i Zyrës së UNHCR-së në Kosovë, iu drejtua azil-kërkuesve të pranishëm, duke u thënë se Qendra në të cilën janë të vendosur ofron kushte shumë të mira.

Po ashtu, ai tha se “njerëzit këtu janë të ndjeshëm për situatën e juaj si refugjatë dhe janë mikpritës”.

Drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë për Punë të Brendshme,Valon Krasniqi, tha se MPB do të vazhdojë të punojë bashkë me UNHCR-në dhe partnerët e saj, që të jetë një sistem efikas të ofrimit i shërbimeve të ndihmës juridike.

Me këtë rast, të pranishmit mbollën fidanë në oborrin e Qendrës së Azilit.