13:01 / E Shtunë, 09 Mars 2019 / indeksADMonline

Zyrtari i lartë amerikan: SHBA s’ka ndryshuar qëndrimin ndaj Kosovës!

Nënsekretari i shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, David Hale ka hedhur poshtë spekulimet se raportet Kosovë – SHBA po eskalojnë.

Hale, pas takimeve që ka zhvilluar me krerët e shtetit, presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj si dhe kryetarin Kadri Veseli, ka deklaruar se palët duhet të merren vesh, kurse SHBA do t’i mbështes në këtë proces.

“Amerika dhe shtetet e Bashkimit Evropian në përgjithësi kanë qëndrim të njëjtë për zgjidhjen e problemit në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ai për Kossev.

Ndërsa lidhur me taksën, Hale ishte i kujdesshëm për  këtë çështje duke mos drejtuar gishtin te asnjë lider.

“Asgjë nuk ka ndryshuar në përkushtimin tonë”, është shprehur ai, transmeton Indeksonline

Kosova është e gatshme për dialog, i ka thënë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nënsekretarit për Çështje Politike, David Hale, njofton Indeksonline.

Ai së bashku me Presidentin Thaçi dhe kryeparlamentarin Veseli, janë takuar me zyrtarin e lartë amerikan në Rezidencën e SHBA-së në Prishtinë.

Haradinaj, në një postim në Facebook, ka shkruar se në takim kanë ritheksuar gatishmërinë për dialog si dhe kanë ftuar Serbinë që t`i kthehet dialogut.

Më poshtë gjeni statusin e plotë të Haradinajt:

Pata nderin që sot në rezidencën e Ambasadorit Amerikan në Kosovë Philip Kosnett së bashku me Presidentin Thaçi dhe Kryetarin Veseli të zhvillojmë një takim të hapur dhe të sinqertë me Nënsekretarin për Çështje Politike, David Hale.

Në këtë takim paraqita qëndrimin se tash Kosova është më e gatshme se kurrë, e unifikuar me një zë të vazhdojë dialogun me Serbinë dhe të kontribuojë në fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet. Ky unitet është edhe me domethënës pas votimit të Platformës se Dialogut dhe Ligjit.

E ritheksova se ne jemi gati per dialog dhe ftojmë Serbinë që t’i kthehet tavolinës e të diskutojmë të gjitha çështjet e hapura duke përfshirë edhe tregtinë e lirë dhe të arrijmë një marrëveshje që rezulton me njohje në kufijtë ekzistues. 

Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi ka treguar për takimin që zhvilloi sot së bashku me kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe kryeministrin Ramush Haradinaj,  me Nënsekretarin për Çështje Politike në Departamentin e Shtetit, David Hale.

Temë e diskutimit ishte aktualiteti politik në Kosovë, e ardhmja euroatlantike e vendit dhe bashkëpunimi bilateral me SHBA-në. Biseduam edhe për zhvillimet aktuale në Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë për vazhdimin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë në këtë momentum të ri, si mundësi për një marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse, që do t’i mbyllë të gjitha çështjet e hapura në mes të vendeve tona. Pra, për një marrëveshje ligjërisht obliguese, që do të sjellë njohjen reciproke dhe ulësen në Kombet e Bashkuara dhe që do të na mundësojë që të kalojmë nga gjendja e armiqësisë së përhershme në një gjendje të paqes, normalitetit dhe bashkëpunimit mes vendeve tona.

Duke mos u pajtuar me kushtëzimet e Beogradit, Kosova përsëriti zotimin se është gati për dialog sa më gjithëpërfshirës dhe transparent. Për këtë edhe Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Platformën për Dialogun.

Ne i shprehëm edhe një herë falënderimin tonë për letrat e presidentit Trump dhe mbështetjen për një marrëveshje që balancon interesat e të dyja vendeve, si të pavarura dhe sovrane. Por, edhe e shprehëm qëndrimin se Status Quo-ja dhe gjendja e konfliktit të ngrirë është e papranueshme”, ka shkruar Thaçi në Facebook.