23:10 / E Martë, 06 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Zyrtari i Qeverisë bashkë me të birin kërkojnë pafajësinë në Apel

Gjykata e Apelit sot e ka shqyrtuar ankesën e zyrtarit të Qeverisë së Kosovës, Zahir Bajramit, i dënuar për korrupsion nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
Bajrami është shpallur fajtor dhe është dënuar me 1 vit e gjysmë burgim, ndërsa djali i tij, Adriani, me 10 mijë euro gjobë me kusht dhe 1 vit burg me kusht për dy vjet verifikimi.

Në Apel, aktgjykimin e shkallës së parë e ka ankimuar edhe vetë prokurori i çështjes, Feti Turnizliu, i cili pretendon se dënimi i shqiptuar ndaj zyrtarit të Qeverisë është shumë i ulët andaj i ka propozuar Gjykatës së Apelit që ta ndryshojë aktgjykimin e shkallës së parë dhe të akuzuarve t’u shqiptojë dënim më të lartë.

Kurse mbrojtësi i Zahir Bajramit, avokati Ahmet Ahmeti, ka kërkuar që çështja të kthehet në rigjykim me arsyetimin se nuk është bërë si duhet administrimi i provave dhe se me asnjë rrethanë nuk është vërtetuar se i mbrojturi i tij e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

“Aktgjykimi nuk ofron rrethana faktike në lidhje me veprimet e të mbrojturit tim si kusht kryesor për kryerje të veprës penale, me asnjë provë as formale e as materiale nuk është vërtetuar se Zahir Bajrami e ka kryer veprën penale siç përshkruhet në dispozitiv të aktakuzës”, tha avokati Ahmeti, duke shtuar se Gjykata është bazuar vetëm në deklaratën e dëshmitarit Elsadat Musliji si dhe transkriptën e bisedës së marrë nga po ky dëshmitar, e cila, sipas tij, është e kundërligjshme.

“Gjykata është bazuar në deklaratën e të dëmtuarit dhe në transkriptën e bisedave të cilat sipas mbrojtjes nuk janë prova materiale që e dëshmojë fajësinë e të mbrojturit tim dhe këto prova janë marrë në mënyrë private të kundërligjshme dhe pa ndonjë autorizim”, shtoi më tej avokati.

Edhe vetë i akuzuari Zahir Bajrami deklaroi se e ndjen veten të pafajshëm dhe se nuk ka lidhje me këtë rast.

“Pajtohem në tërësi me mbrojtësin tim. Nuk kam lidhje me këtë temë. E ndjej vetën jo fajtor dhe nuk jam i zhytur dhe nuk ekziston asnjë vepër penale”, tha Zahir Bajrami, i cili tashmë është i pezulluar nga pozita e drejtorit për Buxhet dhe Financa në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës.

Ndërsa mbrojtësi i Adrian Bajramit, avokati Leon Përlaska, kërkoi pafajësinë e të mbrojturit të tij.

Ai këtë kërkesë e bazoi në faktin se sipas tij Gjykata Themelore ka bërë shkelje esenciale te dispozitave ligjore duke potencuar faktin se Gjykata e ka vërtetuar vetëm deklaratën e dëshmitarit Elsadat Musliji, gjë për të cilën tha se paratë për të cilat dëshmitari ka pretenduar që ka pasur t’ia japë të mbrojturit të tij kanë qenë për shlyerjen e një borxhi e jo për kryerjen e një lënde në Gjykatën e Apelit.

“Gjykata e ka vërtetuar vetëm deklaratën e të dëmtuarit Elsadat, i cili këto para nuk i ka marrë për shkak të kryerjes së lëndës në Gjykatën e Apelit por kanë qenë në emër të borxhit që e ka pasur pasi që ka marrë material. I kundërshtoj edhe transkriptat e bisedave”, tha avokati Përlaska.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Zahir Bajrami përmes djalit të tij, të akuzuarit Adrian Bajrami, më 9 shkurt të vitit 2017, i kishte marrë 10.000 euro të dëmtuarit Elsadat Musliji, pasi që të njëjtit i kishte premtuar se do të ndikonte në Gjykatën e Apelit për heqjen e dënimit me burgim.

Ndërkaq, djali i tij, Adrian Bajrami, fillimisht ia kishte marrë 10.000 euro, e më pas ia kishte kërkuar edhe 10.000 të tjera, ashtu që i dëmtuari Musliji është detyruar që rastin ta paraqesë në Polici.

Për këtë i akuzuari Zahir Bajrami ngarkohet me veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare, ndërsa djali i tij, i akuzuari Adrian Bajrami, ngarkohet me veprën penale të mashtrimit.

Babë e bir ishin arrestuar nga Policia më 9 shkurt 2017.