10:02 / E Premte, 02 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Autoriteti i Aviacionit Civil: Nuk ka asnjë shqetësim rreth sigurisë në Aeroport

Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës konfirmon që në vazhdimësi kanë takime dhe koordinim të shkëlqyer me KFOR-in rreth aktiviteteve të aviacionit civil, duke përfshirë edhe diskutimin e të gjitha aspekteve të sigurisë. Por zyrtarët e këtij autoriteti thonë se nuk ka asnjë shqetësim sa i përket sigurisë së shërbimeve nga Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror.

Dritan Gjonbalaj, Drejtor i përgjithshëm i  Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës ka thënë se autoritetet kosovare në vazhdimësi kanë takime dhe koordinim të shkëlqyer me KFOR-in rreth aktiviteteve të aviacionit civil, duke përfshirë edhe diskutimin e të gjitha aspekteve të sigurisë.

“Mund t’ju konfirmoj se nuk ka asnjë shqetësim sa i përket sigurisë së shërbimeve nga Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror dhe kjo konfirmohet me punën e tyre dhe mbikëqyrjen tonë të vazhdueshme rregullatore”, ka thënë Gjonbalaj për Indeksonline pas publikimit të artikullit me titullin: “Pas 10 viteve, KFOR-i kthehet në Aeroportin e Kosovës – për shkaqe sigurie”.

Sa i përket prezencës së KFOR-it në Kullën e Kontrollit të Trafikut Ajror, Gjonbalaj thotë se tash e sa vite KFOR-i ka një zyrtar ndërlidhës për koordinim civilo-ushtarak.

“Edhe tash dhe tutje KFOR-i do të vazhdojë ta këtë një zyrtar ndërlidhës për të njëjtin qëllim. Kjo është praktikë në çdo kullë të trafikut ajror në botë, në bazë të standardeve të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil dhe rregulloreve rreth koordinimit ushtarako-civil në fushën e shërbimeve të navigacionit ajror”, ka thënë ndër të tjera kreu i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës.

Sipas tij kanë aktivitete të shumta të përbashkëta me KFOR-in në operimet e përditshme dhe prezenca e zyrtarit ndërlidhës e lehtëson koordinimin më të mirë të këtyre aktiviteteve./Indeksonline/