18:27 / E Enjte, 10 Maj 2018 / indeksADMonline

​FSK vazhdon të jetë forcë profesionale

Iniciativat dhe projektet mbështetëse të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s në Kosovë (NALT), për Forcën e Sigurisë së Kosovës, ishin tema të diskutimit në takimin që kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pati me drejtorin NALT-it, gjeneral Ralf Hoffmann.

“FSK vazhdon të jetë forcë profesionale, gjithëpërfshirëse dhe e përkushtuar që t’u ofrojë siguri të gjithë qytetarëve të Kosovës”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar nevojën e mbështetjes së NATO-s për Kosovën, për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe institucionet tjera të sigurisë.

Siç njofton Zyra e kryeministrit, Haradinaj falënderoi gjeneralin Hoffmann dhe ekipin që e udhëheq për mbështetjen e parezervë që po i jep FSK-së, duke shprehur gatishmërinë e plotë për thellimin e marrëdhënieve të Kosovës me NATO-n.

Pasi falënderoi kryeministrin për pritje, drejtori i NALT-it, Gjenerali Ralf Hoffmann, njoftoi kryeministrin Haradinaj për angazhimet e përbashkët me FSK-në dhe institucionet tjera të sigurisë, si dhe për planet e NALT në vitin 2018./Indeksonline/