23:26 / E Premte, 26 Janar 2018 / indeksADMonline

​Këshilli i Sigurimit mban drekë pune me Trumpin në Uashington

Anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të udhëtojnë drejt Uashingtonit për t’u takuar me presidentin Donald Trump në fillim të javës tjetër, takimi i dytë i këtij lloji brenda nëntë muajsh, njoftoi sot misioni amerikan në OKB.

“Ambasadorja amerikane, Nikki Haley organizoi këtë udhëtim të 15 anëtarëve të Këshillit, të cilët do të zhvillojnë një drekë pune me Trumpin të hënën të përgatitur nga Shtëpia e Bardhë”, njoftoi misioni.

Përveç çështjeve të Koresë së Veriut dhe Sirisë, në këtë takim pritet të diskutohet buxheti i OKB-së dhe operacionet paqeruajtëse.

Gjatë kësaj vizite në Uashington, Haley synon gjithashtu t’i tregojë kolegëve të saj prova për raketa dhe pajisje të prodhuara në Iran, që vërtetojnë shkeljet e rezolutave të Këshillit të Sigurimit.

Këshilli i Sigurimit është institucioni më i lartë në OKB dhe përbëhet nga pesë anëtarë të përhershëm, SHBA-ja, Franca, Britania e Madhe, Rusia dhe Kina, si dhe 10 të përkohshëm./Indeksonline/