14:06 / E Hënë, 03 Shtator 2018 / indeksADMonline

1.2 milionë euro rrugë përurohen në Gjakovë

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, në shoqërinë e kryetarit të Gjakovës, Ardian Gjini, të hënën përuroi tri rrugë në fshatrat e Gjakovës. Këto rrugë kanë një rëndësi të madhe për qytetarët të cilët i gravitojnë ato, duke shtyrë përpara kompletimin e infrastrukturës rrugore të Gjakovës dhe rritjen e perspektivës së turizmit në këto fshatra.

Rrugët që u përuruan janë:

Rruga Bardhaniq-Dashinoc, me gjatësi prej afro 7 kilometra dhe me kosto prej mbi 600 mijë euro.
Rruga Skivjan-Novosellë, me gjatësi prej 2 kilometra dhe me kosto prej mbi 200 mijë euro dhe
Rruga Pnish-Damjan, që ka gjatësi prej mbi 5 kilometra dhe me kosto prej afro 400 mijë euro.

“ Synimi jonë është që të lidhim mes vete fshatrat e qytetet, t’u ndihmojmë njerëzve në lirinë e lëvizjes dhe të ndihmojmë zhvillimin e vendeve rurale” deklaroi pos të tjerash ministri Lekaj.

Por premtoi se këto nuk do të jenë projektet e fundit për Gjakovën, e cila ishte pak e pranishme në hartën e investimeve të Ministrisë së Infrastrukturës, qeverisjen e kaluar. Ai theksoi se janë në përmbyllje të ciklit të mbështetjes së komunave në mbarë vendin, në vlerë prej 42 milionë euro.