15:05 / E Premte, 09 Nëntor 2018

3 mijë eurot e gardianit, për planin e arratisjes të malazezit nga Burgu i Dyzit

Stefan Veliçkoviq, gardian në burgun e Dyzit, po dyshohet se premtoi se nga aty mund ta nxjerrë njërin prej personave më të kërkuar në Malin e Zi, Mario Millosheviqin.

Millosheviq ishte arrestuar para disa javësh në një aksion të gjerë të njësisë speciale të Policisë së Kosovës pasi për të ka një fletarrest ndërkombëtarë të Interpolit.

Gardiani Veliçkoviq në paraqitjen e tij para gjykatës ka pranuar se ka bërë plane dhe ka marrë mito për lehtësimin e thyerjes së sigurisë në burgun më të sigurtë në vend.

“Pendohem që e kam kryer këtë vepër penale dhe i premtoj gjykatës që në të ardhmen nuk do ta përsëris veprën e tillë”, ishin fjalët e tij kur doli sot para gjykatësit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Veliçkoviq pretendohet se paratë i ka marrë nga Petrit Mustafa, një zyrtar i Ministrisë së Diasporë së Kosovës, shkruan Kallxo.com.

Sipas Prokurorisë, Petrit Mustafa ia ka dhënë dy herë nga 1500 euro, një telefon Nokia dhe një Iphone 5 të dyshuarit Stefan Veliçkoviq me qëllim që t’ia mundësojë arratisjen e malazezit Mario Millosheviq.

Dy zyrtarët me vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës do qëndrojnë për 30 ditë në paraburgim.

Mario Millosheviq ishte arrestuar në korrik të këtij viti së bashku me tre persona të tjerë në një aksion në Prishtinë, si të dyshuar për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të substancave narkotike lidhur me kërkesën ndërkombëtare nga Interpol-i dhe armëmbajtje pa leje.

Kërkesën për paraburgim e kundërshtuan dy mbrojtësit e të dyshuarve.

Fillimisht mbrojtësja e Stefan Veliçkoviq, avokatja Sabrije Jashari, e kundërshtoi masën e paraburgimit duke kërkuar masë më të butë.

“E kundërshtoj propozimin për caktimin e masës së paraburgimit sepse se nuk janë plotësuar kushtet e parapara ligjore për caktimin e masës më të rëndë, si dhe për vet faktin që është pranuar fajësia dhe të gjitha provat me të cilat dyshohet se është kryer kjo vepër penale janë marrë nga hetuesit policor kërkojmë ndonjë masë alternative”, tha avokatja Jashari.

Edhe mbrojtësi i Petrit Mustafës, avokati Muhamet Avdullahu, kërkoi masë më të butë për klientin e tij.

“E kundërshtoj kërkesën e prokurorisë mbi bazën dhe arsyen e saj për shkak se nuk janë plotësuar kushtet e parapara ligjore për caktimin e saj, dhe kërkojmë nga gjykata ndonjë masë alternative më të butë”, tha Avdullahu.

Avokati i Mario Millosheviq, Arsim Bilalli, ka thënë për KALLXO.com se nuk ka qenë në dijeni lidhur me rastin për të cilin janë arrestuar Mustafa dhe Veliçkoviq.