Kurti uron besimtarët ortodoksë për Pashkët: Ky kumt thërret për punë, vetëmohim e disiplinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një postimi ka uruar besimtarët ortodoksë për festën e Pashkëve.
Ai u shprehë se ky kumt thërret për punë, vetëmohim e disiplinë, transmeton Indeksonline.
Postimi i plotë i Albin Kurtit:
Për shumë mote Pashkët!
Sot, besimtarët ortodoksë, dhe midis tyre dhe bashkëatdhetarët tanë, kremtojnë Pashkët. Ju uroj atyre Pashkë të gëzuara!
Për çdo vit, në pranverë, për plot dy mijëvjeçarë besimtarët kumtojnë me dashuri dhe bindje se sakrifica triumfon mbi egoizmin, se zemërgjerësia i kapërcen mëritë, se drita e mund errësirën, se jeta ngadhnjen mbi vdekjen. Triumfofshin dhe midis nesh!
Ky kumt thërret për punë, vetëmohim e disiplinë. Siç na kanë thënë e udhëzuar rilindasit tanë deri te më i fundmi i tyre At Fan Stilian Noli: me dashuri për njëri-tjetrin, për atdheun dhe gjuhën tonë.
Për shumë mote Pashkët!