75 Mall Live Search
12:51 / E Mërkurë, 27 Shtator 2023 / MSH

Elshani mbi sulmin në Banjskë: Policia s’pati qëllim ta vrasë askënd, vetëm ta çlirojë vendin nga kriminelët

Zëdhënësi i Policisë, Veton Elshani, ka ndarë detaje të reja mbi sulmin serb të së dielës në Banjskë, ku mbeti i vdekur rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku.

Në një konferencë për media po në Banjskë, Elshani ka deklaruar se Policia ka bërë kontrolle të detajuara në tërë fshatin edhe përreth malit, ku dyshohet të jenë pozicionuar dhe qëndruar sulmuesit, raporton Indeksonline.

Elshani gjithashtu shtoi se nuk preferohet të qarkullohet në të gjitha zonat, pasi akoma mund të ketë mjete të paeksploduara, ndonëse sipas tij, janë bërë kontrolle të shumta dhe janë gjetur dhe tërhequr shumë mjete të tilla.

“Konsiderojmë se rreziku nuk ka kaluar, ndonëse konsiderojmë që një numër të madh të pajisjeve [shpërthyese] i kemi gjetur… Ne nuk mund të përjashtojmë ndonjë mundësi tjetër të sulmit, por që jemi goxha të përgatitur për këtë” tha mes të tjerash Elshani.

Zëdhënësi i Policisë përshkruajti edhe rastin e së dielës, duke thënë se Policia u sulmua diku rreth 10 metra afër urës në Banjskë dhe se çdo veprim i asaj dite ka qenë të marra në shpejtësi dhe duke e vlerësuar situatën.

“Është e rëndësishme që banorët e këtij fshati nuk janë lëndu, kanë qenë bashkëpunues dhe asgjë nuk është dëmtuar. Jemi mundu me u tregu sa më të kujdesshëm në çdo veprim dhe secilin e kemi bërë në koordinim me EULEX-in” shtoi Elshani.

Ai vijoi duke ndarë detaje edhe mbi armatimin, duke pohuar se ka pasur çdokund.

“Armatim ka pasur gjithkah, jo në shtëpi privatë ama çdokund dhe ka pasë shumë armatim. Ka pasë armatim në zona të jashtme. Më së shumti gjuajtje ka pasur rreth shtëpive, nëpër fusha dhe gjithkah nëpër fshat, në largësi 5-6 metra. Ka pasur gjuajtje edhe me minahedhës. Predhat janë gjuajtur nga një objekt që ngjason me fabrikë në hyrje të fshatit” shtoi Elshani.

Sipas Elshanit, hetimet nuk do të përfundojnë edhe një kohë të gjatë sepse edhe për Policinë është interesante pse është zgjedhur ky vend për sulm dhe cili ka qenë qëllimi i tyre.

“Ne nuk kemi pasur qëllim t’i vrajmë 30 vetë. Nuk kemi pasur qëllim me e vra asnjë njeri. Qëllimi jonë është që ta ruajmë territorin tonë dhe që ta çlirojmë vendin nga grupet kriminale këtu dhe nëse gjatë këtij procesi ka të vrarë, nuk kemi çfarë të bëjmë”.