Legjenda lituaneze Robertas Poskus për ndeshjen ndaj “Dardanëve”: Do bëjmë më të mirën, Kosova është e fortë!

Lituania do të jetë sot nikoqire e Kosovës, në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kombeve.
Përpara ndeshjes, ish-lojtari i Lituanisë, Robertas Poskus deklaroi për IndeksOnline se kombëtarja lituaneze është gati për ndeshje.
Në një intervistë të shkurtër, Poskus u shpreh se stërvitjet iu kanë shkuar mirë, gjithçka është në rregull, dhe se lojtarët janë gati.

I pyetur se si e sheh Kombëtaren e Kosovës, Poskus deklaroi se e ka marrë seriozisht ndeshjen pikërisht për shkak të formës së Kosovës.
“Kombëtarja e Kosovës është në gjendje të mirë dhe për këtë arsye jemi duke u përgatitur shumë seriozisht për ndeshje. Amiri dhe Vedati janë në gjendje të mirë. I tërë ekipi duket shumë mirë” deklaroi ai.

Ndeshjet e fundit për Lituaninë ishin për t’u harruar, prandaj edhe Poskus vlerëson se në këtë pikë e ka të vështirë të parashikojë se ku do të përfundojnë djelmoshat e tij në Ligën e Kombeve.

“Dy ndeshjet e kaluara i humbëm. Mund të them vetëm se do të bëjmë më të mirën tonë të mundshme. Po pres një ndeshje të mirë nesër”, u shpreh Poskus.
Ndër klubet më të njohura që ka luajtur Robertas Poskus janë: Zalgiris, Yenit, Dinamo Moskow e Rostov.

Kosova të premten e zhvilloi stërvitjen e fundit në kampin lituanez, përpara ndeshjes së sotme.
Kapiteni Amir Rrahmani u shpreh se janë përgatitur shumë mirë për këtë ndeshje, pasi sipas tij, Lituania është ekip që luan mirë futboll dhe ka posedim të topit.
“Duhet të shfrytëzojmë çdo moment. Do të zbresim nesër në fushë për fitore” deklaroi Rrahmani.
Ndeshja e sotme mes, Lituani-Kosovë luhet me fillim nga ora 15:00, në stadiumin “Darius and Girenas”./IndeksOnline/