75 Mall Live Search
21:27 / E Enjte, 12 Qershor 2025 / Burim

Vuçiç ”zbut” BE, përgëzohet për vizitën në Ukrainë: Sinjal i mirë

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç duket se nuk e pati të vështirë të pastrojë njollën e shkaktuar nga takimi me Putinin në Rusi, më 9 maj. Komisioni Europian e përgëzoi sot, për faktin se vizitoi Ukrainën, me rastin e Samitit me Europën Juglindore.

Zëdhënësi i komisionit Markus Lammert, e quajti lëvizjen, si një sinjal të rëndësishëm.

Ai ju përgjigj pyetjes së gazetarëve nëse vizita e Vuçiçit në Ukrainë, ishte një sinjal kthese pas pjesëmarrjes në paradën ushtarake të Moskës, dhe si do të ndikojë kjo në negociatat e anëtarësimit.

“Ne e vlerësojmë këtë vizitë”, tha Lammert, duke shtuar se BE-ja i inkurajon të gjitha vendet kandidate të veprojnë në një linjë me  politikën e tyre ndaj konfliktit në Ukrainë.

Vuçiç mori pjesë në samitin e katërt Ukrainë-Evropë Juglindore në Odessa, ku u takua me Volodymyr Zelensky. Ai theksoi pas takimit rëndësinë e arritjes së paqes afatgjatë dhe të qëndrueshme, por u kujdes të siguronte aleatin Putin se nuk e kishte tradhtuar dhe se nuk e kishte firmosur një deklaratë anti-Moskë në Odesa.