75 Mall Live Search
23:59 / E Shtunë, 04 Tetor 2025 / G T

Rakitic përmend Igli Taren: Modric falë tij është te Milani dhe po kalon mirë

Ivan Rakitiç ka qenë për shumë vite një nga miqtë më të ngushtë të Luka Modriç në përfaqësuesen e Kroacisë dhe kjo miqësi ka vazhduar edhe pse ishin rivalë në La Liga, njëri te Barcelona e tjetri te Real Madrid. Ai njeh shumë mirë mesfushorin i cili po shkëlqen edhe në moshën 40-vjeçare në radhët e Milanit, arsye pse “Gazzetta Dello Sport” i ka bërë një intervistë për të kuptuar më shumë rreth fituesit të “Topit të Artë” në vitin 2018.

“Folëm dje bashkë. Luka është shumë i lumtur, më ka ftuar në Milano, më thotë se futbolli është shumë më i ndryshëm se në Spanjë, por ndjehet shumë mirë. Është shumë i lumtur me shokët e ekipit dhe me jetën në Itali, familja e tij po i gëzohet këtij kapitulli të ri dhe për ne futbollistët, familja është gjithmonë shumë e rëndësishme. Luka për të gjithë këtë duhet të falënderojë Igli Taren, ishte ai që e solli te Milani”, tha fillimisht Rakitiç.

“Unë mendoja se do e mbyllte te Reali, por si mik dhe vëlla, ta shoh te Milani më jep një gëzim shumë të madh. I festoj të gjitha fitoret e tij, personale dhe ekipore, sikur të ishin të miat.

Si është e mundur që është vendimtar edhe pse në këtë moshë? Duhet të kuptoni që Luka është tërësisht i ndryshëm nga të tjerët për mënyrën e tij të jetesës dhe të punës. Futbolli tani është më i ri në moshe se në të kaluarën, por i jep mundësinë atij që punon mirë, vetëm atyre që punojnë shumë mirë, që të zgjatin karrierën. Lukas i pëlqen profesioni i tij, ai jeton për futbollin dhe bën gjithçka mirë”, tha ish-mesfushori kroat.