Përparim Rama e përshëndet Hajrulla Çekun, ia lë edhe një porosi
Kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës, Perparim Rama, është shpallur fitues pas numërimit të shumicës së votave, duke siguruar edhe një mandat të ri për të udhëhequr kryeqytetin.
Në fjalimin e tij, Rama falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe dashurinë e treguar, duke e cilësuar këtë fitore si një triumf të qytetarisë dhe bashkëpunimit, transmeton IndeksOnline.
“Faleminderit për këtë dashuri të madhe. Dashuria, Prishtina ime, shtëpia ime. Sot është festa e qytetit tonë, festa e shpresës,” tha Rama në fjalimin e tij në selinë e LDK-së.
Ai theksoi se fitorja e tij është një fitore për të gjithë qytetarët, pa dallime politike apo bindje të tjera.
“Sonte do të festojmë të gjithë qytetarët e Prishtinës, pa dallim bindje. Prishtina zhvillohet vetëm kur e ndërtojmë bashkë, sepse Prishtina është e të gjithëve,” shtoi ai.
Rama e vlerësoi këtë rezultat si një fitore të kulturës demokratike ndaj kultit të individit.
“Sonte fitoi kultura demokratike mbi kultin e individit. Fitoi uniteti dhe civilizimi i këtij qyteti. Kjo është fitorja më e madhe që mund ta ketë një kryeqytet,” deklaroi ai.
Në fund të fjalimit, Rama shprehu mirënjohje për energjinë dhe dashurinë e qytetarëve të Prishtinës, si dhe dërgoi një mesazh kundërshtarit të tij politik.
“Dua ta përshëndes edhe kundërshtarin tim politik dhe e ftoj të reflektojë qytetarie. Prishtina ka nevojë për bashkëpunim, jo për bllokim. Qytetarët nuk meritojnë pengesa, por punë të përbashkët. Sot qytetari ka folë dhe fjala e tij është vendim. Prishtina ecën përtej”, tha ai.
Bazuar në rezultatet e KQZ-së, sipas procesimit të mbi 90% të vendvotimeve, Rama i LDK-së ka 51,45%.
Hajrulla Çeku i VV-së nuk iu afrua as 50 për qindëshit, duke marrë 48,55%.

