Bedri Hamza do i vizitojë Thaçin e Veselin në Hagë
Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se do të takohet me ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, në Hagë, aty ku po mbahen nga Gjykata Speciale.
Ai, përmes një videomesazhi në Facebook, tha se shpreson që kjo të jetë hera e fundit që do t’i vizitojë atje në Hagë.
“Pas protestave në Prishtinë, Tiranë, Hagë dhe Strasburg, sot shqiptarët mblidhen në Shkup në një tjetër protestë gjithëkombëtare, bashkë me një thirrje dhe një kërkesë për të vërtetën, drejtësinë dhe lirimin e çlirimtarëve. Shqiptarët kudo që jetojnë janë shumë të shqetësuar nga kjo padrejtësi. Shteti ynë është multietnik, ndërsa të gjitha gjykimet e kësaj gjykate janë njëetnike. Lufta jonë e drejtë po gjykohet, liria jonë po gjykohet.
Këtë të martë, një ditë para se të fillojë fushata jonë, jam shumë i lumtur që do t’i takoj presidentin Thaçi dhe kryetarin Veseli. Do t’i vizitoj në Hagë. Shpresoj shumë që kjo të jetë vizita ime e fundit atje, sepse pas pak muajsh ata do të jenë të lirë dhe do të kthehen krenarë në mesin tonë. Viti 2026 do të jetë viti i lirisë dhe i shpresës. Do të jetë viti i mbylljes së padrejtësive dhe i rikthimit të Kosovës në rrugën e drejtë”, tha Hamza.

