Goditet skema e mashtrimit online në Shqipëri – arresohen 7, procedohen penalisht 27
Shtatë persona kanë rënë në prangat e policisë, ndërsa 27 të tjerë janë proceduar penalisht në kuadër të operacionit të koduar “End Point”, i finalizuar nga Policia e Shtetit kundër mashtrimit kompjuterik dhe krimit ekonomik.
Sipas policisë, të dyshuarit ushtronin aktivitetin e tyre në ambiente të përshtatura si call center në Tiranë, ku dyshohet se përmes thirrjeve telefonike kryenin mashtrime kompjuterike ndaj qytetarëve, raporton A2CNN.
Operacioni u zhvillua nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik dhe Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
“Gjatë kontrolleve të kryera në disa ambiente të dyshuara, uniformat blu arrestuan katër shtetas shqiptarë, një shtetas paraguajan dhe dy shtetas angolezë, të gjithë banues në Tiranë. Ndërkohë, procedimi penal në gjendje të lirë ka nisur për 27 persona të tjerë, mes tyre edhe tre shtetas të huaj nga Brazili dhe Franca”.
“Hetimet paraprake kanë ngritur dyshime se personat e përfshirë ushtronin aktivitet të paligjshëm që lidhet me veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”, thuhetn ë njoftim.
Në kuadër të operacionit, policia sekuestroi një shumë parash në euro, të dyshuara si të përfituara nga aktiviteti kriminal, si dhe 70 kompjuterë dhe 49 telefona celularë që dyshohet se përdoreshin për kryerjen e mashtrimeve.

