75 Mall Live Search
20:54 / E Premte, 30 Mars 2018 / indeksADMonline

Këshilltarja e Haradinajt: Veprimet e kryeministrit flasin më zëshëm se secila propagandë

Haradinaj-Stublla ka reaguar pas shkrimeve në disa media ku thuhet se njerëzit e Haradinajt janë të përfshirë në deportimin e “gylenistëve”. Haradinaj-Stublla ka thënë se AAK-ja nuk ka shërbime partiake në inteligjencë, si media që kontrollon dhe orkestron dhe se veprimet e kryeministrit flasin më shumë se çdo propagandë.

Postimi i plotë:

Tani, propagandën kundër AAK-së dhe kryeministrit Haradinaj e paskan lënë për orët e mbrëmjes, kur edhe është audienca më e koncentruar.

Qytetarët e Kosovës, por edhe ata përtej kufirit, e njohin mirë kryeministrin Haradinaj dhe pronësinë e plotë që ai e merr ndaj veprimeve të tij, edhe atëherë kur ato mund të jenë të pafavorshme për të politikisht! E njohin mirë sinqeritetin, ndershmërinë, dhe guximin e tij për të vepruar atëherë kur e vërteta e tij i jep leje t’a bëjë një gjë të tillë.

Çdo tentim që t’ia atribuojnë çfarëdo pronësie në ngjarjet e fundit me revokimin e lejes së qëndrimit, ndalimin dhe deportimin e qytetarëve turq kryeministrit Haradinaj dhe ‘njerëzve të AAK-së’ është qëllim dashakeq dhe puro politik, i orkestruar dhe porositur nga dikush që tenton të fshihet prapa veprimit të paligjshëm dhe antikushtetues të ngjarjes së djeshme, apo të kundërshtojë veprimet e fundit kushtetuese të kryeministrit për lirim nga detyra zyrtarët përgjegjës.

AAK nuk ka shërbime partiake inteligjence, as mediume që i kontrollon e orkestron, e as që synon të ketë ndonjëherë. Aleanca dhe kryeministri Haradinaj operojnë vetëm me të vërtetën e pashtrembëruar faktualisht dhe politikisht, me inteligjencën zyrtare, ashtu siç i takon, me synim që të punojë në interesin e përgjithshëm të qytetarëve dhe në funksion të përmbylljes së elementeve të mbetura të shtetësisë së Kosovës. Ky synim, gjithsesi se përgjatë rrugës do të përballet me pengesa të llojeve të ndryshme, por Aleanca dhe kryeministri nuk do të zbrapsen. Veprimet e fundit të kryeministrit flasin më zëshëm se secila propagandë!

E vërteta e Kosovës dhe qytetarëve të saj do të gjejë dritën dhe të shpojë tunelin. Kosova nuk do të zhbëhet për hatër të askujt!