Rruga e Kombit, sot gjyqi për 23 të arrestuarit
23 protestuesit e arrestuar për aktet e dhunës në Rrugën e Kombit do të dalin para gjykatës së Tiranës mëngjesin e sotëm për masën e sigurisë. Seanca është njoftuar për në orën 09:00.
Zhvendosja e gjyqit në Gjykatën e Tiranës u për shkak të mungesës së ambienteve të përshtatshme në Gjykatën e Kukësit për zhvillimin e seancës.
Seanca do të drejtohet nga gjyqtarët e ardhur nga Kukësi ndërsa palë do të jenë dy prokurorë të këtij qyteti, Alketa Nushi dhe Edmond Karriqi si dhe avokatët e 23 protestuesve.
Për 11 persona prokuroria kërkon masa arrest me burg, për pesë të tjerë kërkohet arrest shtëpie dhe për shtatë qytetarë kërkohet masa detyrim paraqitje.
Siç raportojnë mediat në Shqipëri, prova kryesore e prokurorisë së Kukësit për protestuesit janë pamjet filmike dhe dëshmitë e 15 policëve
Sipas prokurorisë, gjykata duhet të vendosë burg për 11 persona pasi ka rrezik ikje dhe akuzohen për krime të rënda si shkatërrimi i pronës me zjarr dhe goditja e punonjësve të policisë që dënohen deri në shtatë vjet burg.