10:37 / E Mërkurë, 05 Shtator 2018 / indeksADMonline

Thaçi: Korrigjimi i kufijve shënjon fundin e luftës dhe jo fillimin e saj

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi aktualisht po merr pjesë në një debat të organizuar nga KDI me temën “Çfarë do të thotë korrigjimi i kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?”

Në fjalën e tij, presidenti i Kosovës ka thënë se Kosova ka kohën e fundit që të punojë për të arritur caqet e saj që janë anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe NATO, e po ashtu organizatat e tjera të rëndësishme ndërkombëtare. E njëra nga mënyrat për të arritur këto qëllime është normalizimi i marrëdhënieve të mira me Serbin.

“Interes i gjithë neve është konsolidimi i shtetit të Kosovës, më saktësish njohje e shtetit të Kosovës dhe hapja e perspektivës për anëtarësim në NATO dhe BE. NATO do të thotë paqe e qëndrueshme, kurse BE jetë me prosperitet.

Siç e kam bërë të qartë, aspiratat e Kosovës dhe siç na është bërë edhe neve e qartë në Samitin e Sofjes, kusht thelbësor për tu anëtarësuar në BE është ndërtimi i marrëdhënieve të mira me vendet tjera.

Si Kosovë kemi ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyera me Shqipërinë, Malin e Zi por na mbetet të ndërtojmë marrëdhënie të mira edhe me Serbinë. Tani është koha për marrëveshjen në mes të dy shteteve. Vëmendja e shteteve të mëdha është te këto marrëveshje, kjo është vërejtur edhe në deklaratat e departamentit të shtetit të SHBA-ve.” është shprehur Thaçi.

Ai ka shpalosur edhe pikëpamjet e tij në lidhje me dialogun e tij me Serbinë, duke theksuar njohjen reciproke dhe shënjimin e kufijve, që sipas Thaçit nuk nënkupton asesi ndarje të Kosovës.

“Disa nga pikëpamjet e mija janë:

  1. Marrëveshje përfundimtare me Serbinë, dhe jo kalimtare që i shtyn zërat për disa vite.
  2. Njohja formale dhe reciproke mes Kosovës dhe Serbisë
  3. Përmes njohjes synojmë që të hapet mundësia të bëhemi shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara, Këshillit të Evropës, OSBE-së.
  4. Njohja reciproke mes të dy shteteve do të përcillet me një proces të dekoruar mes të dy palëve të shënjimit të kufijve, Por nuk do të ketë ndarje të Kosovës, nuk do të ketë shkëputje të pjesës veriore të Kosovës. Nuk do të bisedohet kurrë në asnjë rrethanë, për ndarje të Kosovës.

Korrigjimi i kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, do të shënojë fundin e konfliktit të gjatë dhe jo fillimin e konfliktit të ri” ka thënë më tej presidenti i Kosovës në fjalën e tij./Indeksonline/