12:37 / E Martë, 18 Shtator 2018 / indeksADMonline

Thaçi vazhdon të mbrojë idenë e korrigjimit të kufijve

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përmes një konference për shtyp ka mbrojtur edhe njëherë idenë e tij për korrigjimin e kufijve.

Sipas tij, vetëm me korrigjimin e kufijve mund të arrihet marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, duke garantuar se një gjë e tillë nuk do të ngjallë konflikt në Ballkan.

Thaçi ka thënë se këtë e kanë konfirmuar vetë liderët e shteteve fqinjë, me të cilët ka pasur takim javën e kaluar.

“Marrëveshja mund të arrihet nëse palët bëjnë kompromis. Ka të tillë që thonë se Kosova ka bërë kompromise të mjaftueshme dhe pajtohem plotësisht. Ka të tillë se thonë se Serbia duhet ta njeh Kosovën dhe unë pajtohem plotësisht, por dua gjithashtu të potencojë shumë drejtpërdrejt në mënyrën më të sinqertë të mundshme se një gjë të tillë Serbia nuk po e bën, për fat të keq me gjithë përpjekjet maksimale nuk po mund ta bindin as BE, e as SHBA. BE është duke modernizuar dhe në të njëjtën kohë dyert janë të hapura për zgjerim, por para zgjerimit shtetet e Ballkanit duhet t’i zgjidhin problemet. Do të jetë më i shpejt nëse ne i mbyllim të gjitha problematikat siç i kemi mbyllur edhe me Malin e Zi, me një marrëveshje paqësore. Dikush mendon se Rusia do ta tërheq veton nga Këshilli i Sigurimit për Kosovën, as kjo nuk po ndodh dhe as nuk po shoh përpjekje që dikush mund ta bind Rusinë për një gjë të tillë. Heqja e Veto-s Ruse nuk mund të ndodh pa një marrëveshje Kosovë-Serbi që nënkupton edhe korrigjimin e kufijve”, ka thënë Thaçi.

Presidenti më tej tha se askush të mos shpresoj se BE apo SHBA mund ta detyrojnë Serbinë të njohë Kosovën, apo që Rusia të tërheq veton.

Ndërsa, sa i përket situatës së krijuar në Kosovë nga partitë politike për korrigjimin kufijve, ai tha se është një mjegull e krijuar dhe kjo do hiqet sapo të arrihet marrëveshja.

“Kam propozuar idenë e korrigjimit të kufijve me Serbinë e cila garanton njohjen e Serbisë dhe bashkimin e Luginës së Preshevës. Kam pritur se do të ketë argumente kundër racionale por në të njëjtën kohë kemi pasur shumë zhurmë, mesazhe pa argumente dhe urrejtëse. Në prag të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës kishte opinione se mund të largohen serbët në mënyrë masive nga Kosova por nuk ndodhi, sepse pavarësia e Kosovës është multietnike. Janë këto mjegulla që shpërndaheshin edhe në prag të pavarësisë së Kosovës, prandaj edhe kjo frikë, ky panik dhe kjo mjegull do të hiqen të gjitha me rastin e arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi”, ka shtuar Thaçi.

I pyetur nga gazetarët për deklaratat e autoriteteve serbe se “Serbia do e njoh Kosovën, vetëm kur bën shelgu rrush”, Thaçi ka thënë se nuk dëshiron t’i komentoj deklaratat elektorale Serbe. Mirëpo ai ka garantuar se as Serbia nuk mund të bëj asnjë hap drejt BE-së pa një marrëveshje reciproke.

Thaçi gjithashtu ka komentuar deklaratën e kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se nëse preken territoret e Kosovës do të ketë luftë.

“Kushdo që përmend lufta, e di se nuk do të ndodhë ashtu. Mjaft kemi duruar tmerre dhe tragjedi. Edhe Haradinaj edhe Veseli janë mbështetës të një marrëveshjeje të mirëfilltë dhe të drejtë në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Thaçi./Indeksonline/