Mbledhja e Qeverisë së Kosovës, këto janë miratimet e ditës së sotme
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës dhe Stitching SPARK-ut të Holandës për mbështetjen e Kolegjit Ndërkombëtarë të Biznesit në Mitrovicë.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës ka nënshkruar Memorandum me palën holandeze, me të cilën edhe kanë zbatuar obligimet e ndërsjella dhe kolegji është funksionalizuar si Bartës Privat i Arsimit të Lartë, i organizuar juridikisht si organizatë joqeveritare e llojit të fondacionit.
Me qëllim të mbështetjes së qëndrueshme financiare është ofruar edhe mbështetja nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që të funksionojë ky institucion i rëndësishëm, nga i cili pritet të krijohen kuadro me rëndësi për zhvillimin social dhe ekonomik në tregun e punës së Kosovës, regjionit dhe Evropës.
Objekt i Marrëveshjes është financimi i pjesshëm dhe i vazhdueshëm i Kolegjit dhe transferimi i mjeteve, aseteve, punëtorëve dhe funksioneve të alokuara nga SPARK dhe donatorët tjerë për këtë Kolegj.
Në mbledhjen e sotme Qeveria ka miratuar edhe Strategjinë për Rregullim më të Mirë 2.0 për Kosovën. Strategjia mbulon një gamë të gjerë programesh, qasjesh dhe analizash dhe mjeteve të politikave për të bërë ndryshime. Synim është përmirësimi i hartimit të politikave dhe legjislacionit, duke siguruar që ato të jenë të bazuara në dëshmi dhe të jenë gjithëpërfshirëse. Kjo do të thotë që vendimet e Qeverisë të jenë të bazuara në të dhëna, statistika dhe të konsultuara me palët.
Qëllimet kryesore të strategjisë janë:
1. Të vlerësojë se si Qeveria e Kosovës mund të zhvillojë një program për zvogëlimin efektiv të barrës administrative;
2. Të zbatojë vlerësimin e ndikimit bazuar në sistemin aktual për hartim të Koncept dokumenteve;
3. Të përmirësojë konsultimin me palët e interesit përmes zbatimit të standardeve minimale për konsultime;
4. Përmirësimin e komunikimit të politikave në analizën e hollësishme të gjendjes aktuale;
5. Të hartojë një plan më real të punës i cili merr parasysh kohën që nevojitet për të bërë analizën e politikave dhe konsultimin e palëve të interesit, bazuar në Koncept dokument në të cilin elaborohet plani.
Qeveria e Kosovës ka themeluar Komisionin Ekzekutiv për Reformën në fushën e inspektimeve në këtë përbërje:
1. Koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore/Kryesues
2. Shefi i Kabinetit, MTI/zëvendës kryesues
3. Sekretari i Përgjithshëm, MAPL/anëtarë
4. Drejtori i Zyrës për Planifikim Strategjik, ZKM/anëtarë
5. Drejtori i Departamentit Ligjor, MTI/anëtarë
6. Drejtori i Departamentit Ligjor, MF/anëtarë
7. Drejtori i Departamentit Ligjor, MAP/anëtarë.
Kabineti Qeveritar ka miratuar edhe Vlerësimin e rrezikut sektorial në pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit në sektorin e organizatave joqeveritare/jofitimprurëse në Kosovë.
Me vendimin e miratuar sot nga kabineti qeveritar është rregulluar kompensimi për punë e Bordit Drejtues të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Kompensimi do të bëhet në mënyrë retroaktive nga data 19 prill i këtij viti dhe bëhet nga buxheti i Fondit për Sigurime Shëndetësore.
Me qëllim të realizimit të Planit Zhvillimor Komunal të Komunës së Pejës, është miratuar propozimi i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për kërkesën e kësaj komune për tërheqje nga procesi i privatizimit dhe kthimit në pronësi të komunës, të pronave të paluajtshme në zonën kadastrale të Breskovikut, Komuna e Pejës.
Është miratuar edhe Udhëzimi Administrativ për mënyrën e emërimit të trupave për vlerësimin e konformitetit. Udhëzimi përcakton procedurat e përgjithshme lidhur me aplikimin për emërim të Trupave të Vlerësimit të Konformitetit, të cilat duhet të plotësohen për dhënie të emërimit, vazhdimi dhe zgjerimi i fushës së emërimit dhe pezullimit të emërimit.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar në parim nismën për lidhje të Marrëveshjes për sigurime sociale me Qeverinë e Republikës së Sllovenisë.
Qeveria ka miratuar vendimin për kahjen e minierës së re të thëngjillit për nevojat e zhvillimit të kapaciteteve të reja energjetike dhe vendimin për themelimin e Komisionit Kombëtarë për Refugjatë.
Ministri në detyrë i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka informuar kabinetin për rezultatin e fillimit të suksesshëm të aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”. Ministria ka vlerësuar pozitivisht fillimin e aksionit dhe ka njoftuar se po vazhdohet nëpër komunat e Kosovës dhe ministria është duke punuar në përgatitjen e Udhëzimit Administrativ për gjobat që do të shqiptohen për ata që ndotin ambientin.