75 Mall Live Search
20:23 / E Diele, 04 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Guardiola “kërcënon” rivalët: Nuk keni parë asgjë akoma!

Pep Guardiola paralajmëron rivalët se nuk kanë parë akoma asgjë nga ajo që Raheem Sterling është në gjëndje të servirë, pasi sulmuesi anësor inspiroi fitoren e thellë të Manchester City me rezultatin 6-1 ndaj Southampton, për të rikthyer “Qytetarët” në krye të klasifikimit të Premier League.

Sterling shënoi dygolësh, për të arritur në koutën personale të 50 golave me Manchester City, por duke shtuar edhe dy asiste, për të mbyllur në mënyrën më të bukur një javë gjatë të cilës ai ka pranuar verbalisht nënshkrimin e një kontrate të re 5-vjeçare me kampionët në fuqi të Premier League.

“Ai është në një formë të jashtëzakonshme. Është i mprehtë, i shpejtë, i zgjuar, luftarak, ambicioz dhe deçiziv. Sterling mund të luajë në të dy krahët, madje edhe në qendër, për të marrë topin pas vijave dhe gjithmonë të kërcënojë qendërmbrojtësin me agresivitet. Ishte një performancë e pabesueshme me dhe pa top, por akoma me djemtë e rinj si ai dhe Leroy Sane, unë preferoj të ndjej se ata mund të përmirësohen ende. Unë kam atë ndjesinë se ai po shijon shënimin e golave dhe dhënien e asisteve, duke qenë shumë i rëndësishëm në fitimin e ndeshjeve. Ai po shndërrohet në një futbollist fitimtar dhe nuk duhet harruar kurrë fakti që ai është vetëm 23 vjeç. Nëse ai ka në mendjen e tij synimin për t’u bërë një futbollist edhe më i mirë, dhe të mendojë se kjo nuk është mjaftueshëm, atëherë ai mund të arrijë gjithçka që dëshiron”, deklaroi plot superlative por edhe me motivim, trajneri i Manchester City, Pep Guardiola në adresë të Sterling.