12:26 / E Shtunë, 04 Gusht 2018

Agjenti i Hysajt, konfirmon që shqiptari ishte pranë transferimit te Chelsea

Maurizio Sarri kishte këmbëngulur që ta merrte me vete në Londër mbrojtësin e krahut të djathtë.

Elseid Hysaj mund të ishte një lojtar i Chelseat tashmë, nëse nuk do të ishte për këmbënguljen e Napolit për ta mbajtur në San Paolo.

Këtë e konfirmoi agjenti i futbollistit, Mario Giufreddi në një intervistë në mediat italiane, ku theksoi se mbrojtësi i kombëtares shqiptare ishte pranë transferimit në Stamford Bridge.

“Me muaj të tërë kemi biseduar me Chelsean për mundësinë e transferimit të Hysajt në Londër, por pasi ata morën Sarrin, Napoli nuk e lejoi një gjë të tillë”, ka thënë Giuffredi.

Aktualisht Hysaj ka dhe dy vite kontratë me Napolin, por gjithsesi duhet të jetë klubi ai që duhet të këmbëngulë që futbollisti të rinovojë, edhe pse Giuffredi theksoi se ai dhe futbollisti janë të gatshëm të ulen në bisedime që në këto momente.

“Rinovimi? Nuk e kemi ne me nxitim, por këtë duhet ta ketë Napoli. Në fund të sezonit Hysaj do të ketë dy vite të mbetura në kontratë, ka ende kohë për të nisur bisedimet, por ne jemi të gatshëm qysh tani”, ka theksuar ai.