19:51 / E Shtunë, 08 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Albini ia hante shpirtin gjykatësit italian, Salustros

Shkruan: Agim Muhaxheri

“Epoka e re”, e cila feston ditëlindjen e saj të 20-të, ishte e “burgosur” më 2002.

Ajo u fut në dosjen e prokurorit të UNMIK-ut, afrikanit me perukë Kamudoni Niasulu. Ky kishte ngritur aktakuzën ndaj Daut Haradinajt dhe të akuzuarve tjerë. Dy gazetarëve të gazetës “24 orë” ju kam thënë: Ju s’mundeni me ma shkue…  Thuani bosit tuaj Rasimit, kot e keni, s’ju bënë punë po ta dërgoni një autobus me gazetarë… Albin Kurti e bëri luftën në gjykatore me gjykatësin italian Maurizio Salustro. Këtij i tha: Ti s’mundesh me ma mbyllë gojën…

Dy orë para mesnate bëj raportin për një proces të ndieshëm. Gazetarja e “Kohës ditore”, pasi merr vesh se raporti im ishte publikuar në “Epokë…”, një avokati i kishte thënë: Eu ç’na paska kallë, Agimi ! Shefi i “Epokës…”, Muhamet Mavraj shprehte nervozën, kërkonte disiplinë në punë. I thirrte gazetarët në raport – si në ushtri. Shquhej si profesionist, mësues i mirë i gazetarisë.

————————————————————-

Më 12 shkurt del numri 6000 i “Epokës së re”. Ajo feston ditëlindjen e 20-të të saj. Kryeredaktori Mal Qorraj më luti t’ia dërgoj disa rreshta për përshtypjet e mia në këtë gazetë.

Botuesit Muhamet Mavraj i shkruaj: Qysh mos me më thirrë në zijafetin e juaj…

– Je në top listë madje, pa dyshim hiç, ma ktheu ai.

Prej gazetës “24 orë” kaloj në “Epokë…” më 2002. Këtu punoj deri në 2008.

Në fillim të punës e ndoqa procesin gjyqësor të Daut Haradinajt dhe të akuzuarve tjerë. Mavraj më tha:

A mundesh këtij procesi me ia kushtue më tepër se një faqe gazetë ?

– Qy, qy, unë ti shkruaj tri faqe…

Në gjykatore shumicën i shihje duke lexuar “Epokën…”. Këtë gazetë e mbante në dosjen e tij prokurori i Unmikut, afrikani me perukë Kamudoni Niasulu.

Xhelozat e gazetës së Rasimit (Selmanajt) i angazhojnë dy gazetarë për të raportuar. Këta më thonë: Tash jemi dy vetë, kena me ta shkue…”.

Kush ju, mua, a ! Jeni të vegjël, kingja të butë !

Ua tërhoqa vërejtjen: Thoni Rasimit, çoje një autobus me gazetarë, ju lë në gjumë…

Procesin e Albin Kurtit gjatë nëntorit 2007 e ndoqa me përkushtim të madh. Përshkruaj luftën në gjykatore ndërmjet Albinit dhe kryetarit të trupit gjykues, italianit Maurizio Salustro.

Ti s’mundesh me ma mbyllë gojën, i thoshte Albini gjykatësit arrogant Salustros.

Ia hante shpirtin.

Salustro shpalli akgjykimin:

Albin Kurti lirohet nga aktakuza…

Megjithëkëte, Albinit ia lidhin duart.

Salustron e fus në gërshërë përse lejoi ti lidhen duart Albinit për të shkuar deri në burgun e Prizrenit për tu zhgarkuar…

I them Salustros, zotëri ti ke hyrë në zonën kriminale, ke kryer veprën penale – privimi i kundërligjshëm nga liria. Këtë gabim trashanik s’do ta falte as shteti yt, Italia.

Raportoja për proceset që mbaheshin në orët e vona të natës. Redaksinë e njoftoja në telefon kah ora 10 të natës: Ma leni vendin në gazetë, tash vij e bëj raportin.

Të nesërmën për këtë ngjarje, gazetarja e “Kohës ditore”, Selvija vajti në zyren e avokatit Nikë Shala për ti marrë të dhënat. Por pasi mësoi se ajo ngjarje ishte botuar në “Epokë…”, ajo ofshani:

Eu ç’na paska kallë, Agimi !

Shefi Muhamet Mavraj shprehte nervozën, kërkonte disiplinë në punë. I thirrte gazetarët në raport – si në ushtri.

Mavraj shquhej si profesionit, mësues i mirë i gazetarisë. Kjo është përshtypja ime për të.