20:57 / E Hënë, 08 Tetor 2018 / indeksADMonline

Ambasadorja Çitaku i tregon botës për Çlirimin që u rrah në Serbi: Ai po fliste gjuhën e tij!

Rrahja e dy të rinjve shqiptar në Novi Sad ka prekur jo vetëm opinionin, por edhe politikanët kosovarë.

Madje njëri nga ta, 19 vjeçari Çlirim Maloku është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Përmes një statusi në llogarinë Facebook ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, ka reaguar, duke shprehur shqetësimin dhe duke treguar se Çlirimi është duke jetuar për jetën vetëm pse foli shqip.

“Emri i tij është Çlirim Maloku. Ai është nga #Kosova. Emri i tij do të thotë Çlirim. Ai lindi në vitin ’99, viti kur Kosova u çlirua nga okupimi serb. Javën e kaluar ai u rrah në Serbi sepse ai fliste gjuhën e tij amtare. Sot ai po lufton për jetën e tij.”, ka shkruar Çitaku, duke shpërndarë edhe fotografinë e viktimës.

Ndryshe, Çlirimi ka pësuar lëndime të rënda: frakturë të ashtit të kokës dhe gjakderdhje në tru. Ai është operuar në Qendrën Klinike të Vojvodinës.

Ai bashkë me shokun e tij po ashtu 19 vjeçar u sulmua nga katër persona të panjohur vetëm pse po flisnin shqip./Indeksonline/