18:10 / E Enjte, 03 Dhjetor 2020 / OSH

Ankesa për mungesë të oksigjenit në spitale/ Krasniqi: Asnjë pacient nuk ka vuajtur, kemi boca të mjaftueshme

U.d drejtor i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, Valbon Krasniqi, sot ka thënë se deri më tani asnjë pacientë nuk ka vuajtur në mungesë të oksigjenit, shkruan IndeksOnline.

“Edhe rajoni edhe vendet e tjera po përballen me vështirësi serioze dhe jemi të angazhuar të gjithë maksimalisht.

Deri më tani asnjë pacientë nuk ka vuajtur në mungesë të oksigjenit”, tha ai në një konferencë për media.

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, për këtë ka thënë se janë duke bërë të pamundurën që të kenë mjaftushëm furnizime për shërbimet mjekësore.

“Jemi në situatë pandemie jo vetëm ne por tërë globi po përballet më situate jo të lehta në menaxhimin dhe furnizimin e mjeteve shëndetësore. Msh dhe SHSKUK është duke e bërë të pamunudurën që të kemi mjaftushëm furnizime dhe asnjë pacientë të mos mbetet pa ndonjë shërbim mjekësor”, tha Zemaj.

Ndryshe, Spitali i Përgjithshëm në Gjilan dje ka bërë të ditur se kanë nevojë emergjente të furnizimit me oksigjen.

Ndërsa, gjatë ditës së sotme pati ankesa të shumta nga qytetarë se ka mungesë të bocave të oksigjenit në spitalin e Gjakovës dhe se disa pacientëve u është dashur të transferoheshin në spitale të tjera përreth, kjo për shkak të kësaj.

IndeksOnline ka kontaktuar u.d. së drejtorit, Hilmi Shala i cili i ka quajtur shpifje zërat se kinse ka mungesë të bocave të oksigjenit.

Madje, ai ka kërkuar që të respektohet puna e tyre dhe të mos krijohet panik në këto ditë pandemie.