13:32 / E Shtunë, 01 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Arrestohen katër persona në një lokal masazhi, ndër ta edhe një zyrtar i ATK-së

Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona në Prishtinë, nën dyshimin se janë përfshirë në veprat penale ‘ofrimi i lokaleve për prostitucion’, ‘keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘ushtrim i ndikimi’, ‘mbajtja në pronësi kontroll apo posedim i armës’ dhe ‘bashkëkryerja’.

Policia thotë se gjatë realizimit të planit, në një ‘Sallon masazhi’ në Prishtinë, ka identifikuar dhe arrestuar M.D. viti i lindjes 1986, L.D. viti i lindjes 1982, A.B. viti i lindjes 1989 dhe L.L. viti i lindjes 1977. Ky i fundit është zyrtar në ATK-ë, i cili dyshohet se në vazhdimësi duke keqpërdorur autoritetin zyrtar, me qellim të përfitimit ka ndihmuar të dyshuarit tjerë në kryerjen e veprave penale dhe po ashtu dyshohet se ka kryer edhe veprën ‘Ushtrim i ndikimit’.

“Policia si prova materiale ka konfiskuar 1 armë zjarri me një karikator dhe dy fishekë të njëjtës armë, 6 telefona mobil, para në vlere 820 euro dhe 20 franga dokumente të ndryshme”, thuhet në komunikatë.

Të dyshuarit me aktvendim të prokurorit dërgohen në mbajtje për 48 orë./Indeksonline/