09:28 / E Hënë, 27 Gusht 2018 / indeksADMonline

Arrestohet bossi i agjensionit turistik që mashtroi dhjetëra qytetarë

Pronari i agjensionit turistik “Vol Travel” në Gjilan, Granit Leka, që mashtroi dhjetëra qytetarë duke ua marrë paratë për të mos i dërguar në pushime verore, është arrestuar nga Policia e Kosovës.

Indeksonline nga burimet brenda Policisë ka mësuar se pronari i agjensionit është arrestuar teksa po kthehej në Kosovë nga arratia.

“I dyshuari është arrestuar ditë më parë nga Policia e Kosovës, ndërsa për këtë rast janë intervistuar rreth 30 persona në cilësinë e viktimave. Rasti është ende duke u hetuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës”, kanë thënë në polici.

Hetimet në lidhje me këtë rast nisen pas ankesave të shumta të qytetarëve si në media ashtu edhe në polici.

Indeksonline kishte raportuar për këto mashtrime javë më parë ku qytetarët thanë se kishin paguar rreth 1 200 euro për qift për pushime që kurrë nuk i realizuan.

E më vonë Policia e Kosovës ishte detyruar të njoftoi qytetarët që të mos bien pre e këtyre mashtrimeve.

“Këto aranzhime turistike dyshohet se nuk janë realizuar nga  agjencioni “Vol Travel”, prandaj ftojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës të cilët kanë  bërë aranzhime turistike me agjencionin në fjalë, e të cilat  aranzhime nuk janë realizuar, të paraqiten në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Policinë e Kosovës në nivel të regjioneve përkatëse policore ku ata banojnë”, thuhej në komunikatën e Policisë./Indeksonline/

Agjencioni turistik mashtron qytetarët, ua merr paratë por nuk ua jep biletat për Turqi (Dokument)

Polica po heton rastin e mashtrimit të qytetarëve nga agjencioni turistik në Gjilan