13:52 / E Mërkurë, 21 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Atletja nga Hungaria që befasoi publikun, mori pjesë pa ditur asgjë (Video)

Elizabeth Sueni ka hyrë në historinë e Lojërave Olimpike si pjesëmarrësja më unike e këtij aktiviteti. Amerikania 33-vjeçare, debutoi për Hungarinë në aktivitetin që po zhvillohet në Korenë e Jugut, në garën e “half pipe” (gjysmë tubi) duke dhuruar një spektakël shumë të rrallë pasi tregoi se nuk dinte të bënte asgjë.

Në vend që të bënte rrotullimet dhe hedhjet e zakonshme të kësaj gare, ajo thjesht kaloi nga fillimi në fundin e zonës së garimit pa u rrëzuar dhe në fund deklaroi me krenari se kishte përmbushur ëndrrën e saj për të qenë një atlete olimpike. Ndërsa spektatorët pyesnin veten se si ishte e mundur diçka e tillë, që një atlete fillestare të merrte pjesë në këto nivele, u mësua se Sueni kishte shfrytëzuar hapësirat gri të sistemit për të marrë pjesë në aktivitetin më të rëndësishëm të lojërave dimërore.

Ajo kishte mësuar skitë në moshën 25-vjeçare dhe u federua në Hungari meqë kishte mamanë nga ky vend. “Sportistja” kishte zgjedhur garat ku ka numër të ulët pjesëmarrësish dhe në “half-pipe” zakonisht ka shumë pak.

Sueni zbuloi se mund të merrje pikë në këtë disiplinë edhe nëse thjesht nuk rrëzoheshe nga fillimi deri në fund të provës, ndaj ajo mori pjesë në aktivitete të kualifikueseve të Kupës së Botës ku regjistroheshin vetëm 20-25 pjesëmarrëse. Disa prej tyre rrëzoheshin gjatë numrave spektakolarë dhe nuk merrnin pikë, ndërsa ajo thjesht kalonte nga fillimi deri në fund të pjesës së garimit dhe merrte pikët, duke mbledhur mjaftueshëm sa për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike.

Temat: