20:51 / E Enjte, 22 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Beqaj: Bashkëpunimi me donatorët do të rrisë fondin për përkrahje të inovacionieve

Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj sot ka vizituar Kompaninë Gjirafa ku ka takuar stafin e saj, si dhe ka bashkëbiseduar me pronarin Mërgim Cahani. Gjatë vizitës që u ka bërë ambienteve të Gjirafës, ministri Beqaj është njoftuar me aktivitetin e përditshëm të kompanisë dhe rezultatet e punës në fushë veprimtarinë specifike të saj.

Nga pronari Mërgim Cahani, Ministri Beqaj ka marrë informata të rëndësishme për punën dhe suksesin e Gjirafës në tre vjetët e fundit, me ç ‘rast ai është shprehur i impresionuar me sukseset e prekshme të kompanisë dhe me angazhimin e të rinjve në këtë kompani. Sipas z. Mërgim Cahani mosha mesatare e stafit të Gjirafës është 24 vjeç, që dëshmon se kapacitetet profesionale të të rinjve janë të jashtëzakonshme.

Pas vizitës në kompaninë Gjirafa Ministri Beqaj ka deklaruar se Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë është në fazën intensive të diskutimeve me donatorët në drejtim të bashkimit të fondeve për inovacion që do tu ndahen novatorëve, duke rritur kështu fondin e paraparë nga Ministria për vitin 2018.

“Kompania Gjirafa po rritet me trende të përshpejtuara. Është model i mirë që duhet ta marrin të rinjtë dhe të rejat’, tha Ministri Beqaj. “Bashkëpunimi që kemi filluar me donatorët do të rrisë fondin e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, duke i bashkuar fondet”, shtoi ministri Besim Beqaj.

Ndërsa Mërgim Cahani ka deklaruar se  në takim me Ministrin Beqaj janë diskutuar tema të shumat për  zhvillimin ekonomik, sidomos zhvillimin ekonomik në aspektin digjital. “Me themelimin e Ministrisë së Inovacionit, besojmë se ne si komunitet, si ekosistem, kemi një mbështetje më të mirë dhe kemi mundësi të shumta të bashkëpunimit që mund t’i realizojmë së bashku”, tha z. Cahani. Ai deklaroi se Gjirafa ka shumë sfida por edhe shumë mundësi të reja./Indeksonline/