10:27 / E Enjte, 21 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Bie numri i vrasjeve në Kosovë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni gjatë ceremonisë përmbyllëse të fund-vitit ka folur për sfidat dhe arritjet e këtij institucioni gjatë vitit 2017.

Sipas tij, gjatë vitit 2017, ndër sfidat më kryesore kanë qenë edhe aksidentet me fatalitet në vend, duke shtuar se Policia ka bërë plane operative të shumta në lidhje me parandalimin e aksidenteve dhe atyre me fatalitet.

“Viti 2017 për Policinë e Kosovës ka qenë vit i sfidave të natyrave të ndryshme në bashkëpunime të ngushtë me qytetarët, institucionet tjera vendore dhe ndërkombëtare kemi arritur sukses në aspektin e luftimit të krimit, sigurisë, ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike gjatë përmbushjes së objektivave policore. Gjatë periudhës raportuese, Policia e Kosovës ka evidentuar gjithsej 45 mijë 739 raste prej të cilave 32 mijë e 538 janë klasifikuar si vepra penale, ndërsa 12 mijë e 921 janë klasifikuar si kundërvajtje dhe raste të natyrave të tjera”, ka thënë Maxhuni.

Më tej ai ka treguar edhe statistikat tjera të rasteve të ndryshme.

“Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016, numri i rasteve ka shënuar rënie për 2. 38 për qind dhe numri i rasteve të veprave penale 0.47 për qind. Këtë vit, numri i vrasjeve ka shënuar rënie, ku në vitin  2016 kanë qenë 26 vrasje, ndërsa në vitin 2017, 24 vrasje. Numri i lëndëve të rënda, apo lëndime të rënda trupore ka shënuar rënie nga 299 në 271 të tyre. Vjedhja gjithashtu ka shënuar rënie, nga 5610 në vitin 2016, në vitin 2017 kanë qenë 5264 vjedhje. Ndërsa, grabitja ka shënuar rritje ku nga 252 që janë raportuar në vitin 2016, në vitin 2017 ka pasur 5.55 për qind rritje, apo 266 raste”, ka thënë Maxhuni.

Më tej ai ka shtua se policia gjatë këtij viti ka ndjekur 172 protesta dhe tubime, që në raport me vitin 2016 është vërejtur një ulje e protestave dhe tubimeve.

Sipas tij, plane të tjera ka pasur edhe në parandalimin e drogave nëpër shkolla, të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Sa i përket kësaj të fundit, sipas tij janë shënuar rezultatet ku pas operacioneve të shumta kanë arritur të arrestojnë 1664 persona.

Më tej ai e ka quajtur si sukses të madh punën intenzive me mekanizmat vendore dhe ndërkombëtare për anëtarësimin e Kosovës në Interpol dhe Europol.

Në sferën e bashkëpunimit ndërkombëtarë janë ndërmarrë hapa të mëdhenj pozitiv. Në kuadër të prioriteteve tona jemi duke punuar ngushtë dhe fuqishëm me autoritet vendore dhe partner ndërkombëtarë drejt anëtarësimit të mekanizmave më të rëndësishme ndërkombëtare sic janë Interpoli dhe Europoli. Vendosja e Kosovës në listën prioritare  nga shtet anëtare dhe aprovimi nga ana e bordit menaxhues të Interpolit është një lajm i mirë për ne, pasi kjo ka ardhur si rezultat i bashkëpunimit të institucioneve të rendit në Kosovë”, ka thënë më tej ai.

Ndërkaq, i pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Flamur Sefaj, i cili ka lavdëruar Policinë e Kosovës për punën dhe angazhimin gjatë vitit që po lëmë pas.

“Policia e Kosovës po përmbush të gjitha kriteret që kërkohen nga Bashkësia Ndërkombëtare dhe vendore të cilat na çojnë drejt integrimeve evropiane dhe organizatat më të mëdha. Kontribuojnë në sigurinë tonë, në atë që qytetarët të ndihen të sigurt”, ka thënë ai.

Në fund të kësaj ceremonie janë ndarë edhe medalje dhe dhurata për pjesëtarët policor./Indeksonline/