11:34 / E Hënë, 08 Janar 2018 / indeksADMonline

Dëbohet nga Italia për përdhunim, shqiptari merr mbiemrin e gruas, por kur hyn sërish…

Shqiptarit i shkon dëm plani që kishte thurur për t’u futur në Itali, pasi ishte dëbuar, me akuzën e dhunës seksuale.

Mediat italiane bëjnë me dije se protagonist është një shqiptar 39-vjecar, i cili u ndalua në Merano, e më pas u arrestua nga policia, pasi ishte i dënuar për dhunë seksuale. E për këtë atij iu komunikua dëbimi i menjëhershëm dhe kushti që për 10 vite nuk duhet të shkelte më në Itali.

Shqiptari ndërkohë kishte një kontratë martese me një grua italiane. Nga kjo kontratë ai përfitoi dhe ndryshoi mbiemrin, duke marrë mbiemrin e gruas dhe nxori pasaportë me identitetin e ri. Kështu arriti të hynte sërish në Itali, duke përdorur mbiemrin që nuk rezultonte i skeduar nga policia.

Nuk u mjaftua me kaq, por guxoi të dorëzonte letrat për të kërkuar leje qëndrimi në shtetin italian. Pikërisht këtu u zbulua.

Por, autoritetet e Kuesturës së Meranit ishin bërë kureshtarë kur kishin parë se banori i ri i këtij qyteti po vinte me një mbiemër shumë të përhapur në Meran.

Pas kontrollit, ata zbuluan identitetin e vërtetë të shqiptarit. Tani jo vetëm do të përfundojë në burg të vuajë dënimin, por do të dëbohet sërish, sapo të dalë./Panorama/