23:51 / E Martë, 15 Tetor 2019 / indeksADMonline

Dëmtimi i Sanchez fut Interin në merkato, Giroud objektivi i parë për sulmin

Me dëmtimin e Alexis Sanchez në miqësoren mes Kolumbisë dhe Kilit, lëndim që do ta mbajë sulmuesin kilian në rastin më të mirë rreth 2 muaj jashtë fushave të futbollit, por nëse operohet rrezikon 3-4 muaj, Interi ka hedhur sytë nga merkato për të përforcuar skuadrën me një tjetër sulmues.

Për momentin vendin e Sanchez në skuadër do ta marrë talenti 17-vjeçar Sebastiano Esposito i cili nuk do të marrë në Botërorin U-17 me Italinë pikërisht për këtë fakt, megjithatë në janar drejtuesit zikaltër do të hynë në merkato për të gjetur një bomber.

Emri që tërheq më shumë Marottën dhe Ausilion është ai i Oliver Giroud. Sulmuesi francez është në skandencë kontrate me Blutë e Londrës në fund të këtij sezoni, por mund të largohet nga Chelsea edhe që në janar.

Problemi qëndron te paga pasi futbollisti në ishull përfiton plot 8 milionë euro në sezon, shifër që Interi nuk mund tia ofrojë por edhe te kontrata pasi në moshën 32-vjeçare Giroud e ndjen ende veten të rëndësishëm dhe kërkon një kontratë për 2 vite e gjysmë.

Megjithatë me dëshirën e mirë të dyja palëve një rrugë e mesme mund të gjehet dhe ish bomberi i Arsenalit mund të vihet sërish në dispozicion të Antonio Contes i cili te Chelsea e kishte në dispozicion për 6 muaj, me francezin që nën drejtimin e trajnerit italian shënoi 5 gola në 18 ndeshje, në gjysmën e dytë të sezonit 2017-2018.