15:00 / E Hënë, 12 Mars 2018 / indeksADMonline

Deputetët nuk e din kur do të thirret seanca për demarkacionin

Deputetët e Kuvendit të Kosovës ende nuk e dinë se kur pritet të mbahet seanca për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Ndonëse zyrtarë të ndryshëm të partive politike javën e kaluar patën paralajmëruar që seanca do të mbahet këtë javë, zyrtarisht nuk ka ende asnjë caktim të datës, madje as thirrje të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

I kontaktuar nga Indeksonline, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se zyrtarisht ata nuk kanë asnjë njoftim për seancën e demarkacionit.

“Deri tash s’ka asgjë zyrtare, andaj s’mundem të deklarohem”, ka thënë shkurt Krasniqi.

Kuvendi tri herë kishte thirrur seancë për demarkacionin, mirëpo në mungesë të votave ato kanë dështuar.

Gjatë ditës së sotme Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se shpreson që partitë politike në vend të jenë duke biseduar me Listën Serbe për ta votuar Demarkacionin pasi sipas tij askush më nuk ka asnjë arsye që të vonojë ratifikimin./Indeksonline/