09:50 / E Hënë, 15 Gusht 2022 / B O

Deputeti i LDK-së alarmon për një dimër të rëndë në Kosovë: Drunjtë 100 euro, 400 euro peleti, rryma…!

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa ka paralajmëruar dimër të rëndë në Kosovë. Ai ka thënë se rryma nuk pritet të jetë aspak stabile, ndërsa çmimet për ngrohje alternative do të jenë tejet të larta.

Sipas Mustafës, me këtë ritëm,nuk përjashtohet situata ku çerdhet, shkollat, qëndrimet ditore nuk do të kenë me çka t’i ngrohin klasat e tyre.

“Dimër mesjetar po na vjen. Qeveria rrudhë krahët… as frigoriferi i famshëm s’do të ju ketë rrymë.
Reduktimet e rrymës 6-2 në mes të gushtit. E në dimër?
Dhe peleti mbi 400 euro.
Dhe drunjtë drejt 100 euro.
E kur s’punon KEK-u s’do të ketë as ngrohje qendrore.
Çmimi i rrymës pritet të dyfishohet.
Çmimet e produkteve esenciale, si ushqimi, deri sot janë rritur për 14,2%. E deri në dhjetor?
Këtë dimër familjet kosovare do të duhet të zgjedhin bukë të shtrenjtë apo dru/pelet/rrymë të shtrenjtë për ngrohje… nëse do të mund të gjejnë dru/pelet/rrymë për të blerë.
Kundërshtuan, protestuan, sulmuan deri në dështim zyrtar termocentralin me thëngjill Kosova C dhe termocentralin me gaz.
Me këtë ritëm, me këtë paaftësi qeverisëse, nuk përjashtohet situata ku çerdhet, shkollat, qëndrimet ditore nuk do të kenë me çka t’i ngrohin klasat e tyre. Do t’i detyrojnë prindërit t’i kthejnë fëmijët në shtëpi… ku as atje s’kanë ngrohje e as rrymë. Kush do t’i kryej punët e këtyre prindërve në vendet e tyre të punës… ku s’ka as ngrohje e as rrymë?” shkruan Mustafa në reagim./Indeksonline/