09:01 / E Mërkurë, 31 Tetor 2018 / indeksADMonline

Deputetja e LDK-së optimiste se në seancën e sotme do të bëhen gjithë bashkë, sikurse me ushtrinë!

Sot është paraparë të mbahet seanca e jashtëzakonshme për çështjen e dialogut. Seanca e cila pritet të nis nga ora 10:00 është vendosur nga kryesia e Kuvendit që të diskutohet ekskluzivisht për rrjedhën e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Me kërkesën e 42 deputetëve që të mbahej seancë e jashtëzakonshme për debat parlamentar lidhur me angazhimet e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjimit të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri thotë se është krijuar një krizë politike, dhe kjo edhe mes koalicionit qeverisës.

“Situata në Kosovë është vërtetë në një krizë politike, nuk është vetëm mes pozitës dhe opozitës, është edhe mes koalicionit qeverisës edhe jo më kot ne kemi kërkuar që të shkojmë në zgjedhje sepse e vetmja alternative ka mbet, të mbahen zgjedhjet”, ka thënë ajo në një bisedë për Indeksonline.

Sipas Gaxherrit, qeveria aktuale nuk e ka mbështetjen e duhur për të vazhduar tutje.

“Qeveria aktuale nuk e ka mbështetjen e të gjithë partnerëve dhe njëkohësisht nuk i ka numrat e mjaftueshëm për të kaluar ligjet e thjeshta e lëre më marrëveshjet ndërkombëtare, e vetmja rrugë, e vetmja zgjidhje është të shkojmë në zgjedhje të marrim legjitimitetin kushdo qoftë e pastaj t’i merr përgjegjësitë shtetërore.”, ka theksuar tutje ajo gjatë bisedës.

Gaxherri thotë që në seancën e sotme duhet të ketë reflektim nga mazhoranca, sa i përket nxjerrjes së një rezolute.

“Sot du me besu edhe pse jam shumë pesimiste se do të reflekton në radhë të parë mazhoranca dhe do ta nxjerrë një rezolutë e cila do ta bëjë me dije kujtdoqoftë cilit do institucion se vërtetë kushtetuta është mbi të gjithë ne dhe atë duhet respektuar, nuk ka asnjë lloj kompromisi, asnjë lloj dialogu me  sovranitetin e vendit, urojë edhe pse jam skeptike që sot do të jemi të gjithë bashkë dhe do të ecim tutje.”, ka vlerësuar ajo. /Indeksonline/